.
×

Majlinda Rama, fituese e Çmimit të Madh në Maqedoni



 

Poetja, shkrimtarja dhe studiuesja shqiptare, Majlinda Nana Rama “rrëmben” Çmimin e Madh në Maqedoni, në “Takimet poetike të Karadakut”, manifestim me një traditë 26 – vjeçare. Në konkurrim për çmimin “Fadil Bekteshi”, nga 100 konkurrentë u përzgjodhën 40 emra nga të gjitha trevat shqipfolëse, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mali i Zi.

Çmimi i parë shkoi për autoren nga Shqipëria Majlinda Nana Rama, e cila u prezantua me poezinë “Vajzës së palindur”, çmimi i dytë për poetin nga Kosova, Fehmi Ajvazi me poezinë “Hiri mbi gjakun e shenjtë” dhe çmimi i tretë shkoi për poetin nga Kumanova, Nazmi Beqiri, i cili u paraqit me poezinë “ Eh Promethe!”.

Ky Manifestim zhvillohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës të Maqedonisë dhe Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”. Gjatë fjalës së saj përshëndetëse, fituesja e çmimit të parë, Majlinda Rama, u shpreh se aktivitete të tilla kanë një motiv përtej letërsisë, atë të një shoqërie më të përsosur.

“Më lejoni t’ju falenderoj për pritjen e ngrohtë këtu, në Kumanovë! Falenderoj jurinë për vlerësimin! Çmimet, realisht nuk na bëjnë as më të mirë, as më të këqinj seç jemi si krijues, por takime të tilla, në kushtet e një depresioni të përgjithshëm social, shoqëror, ekonomik e politik, na bëjnë, padyshim shumë mirë, sepse, nëpërmjet artit e letërsisë, ndërtojmë një shoqëri më të mirë”, ka thënë midis të tjerash Rama.

Merrnin pjesë në këtë manifestim të gjerë poetik edhe personalitete të pushtetit qëndror e vendor, si: Kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Kulturës, Valmir Aziri dhe shumë të tjerë. Kryetari Arifi shprehu mirënjohje për punën e pandalshme të organizatorëve, dhe gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit, ndërsa përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës, Aziri, tha se duke marrë parasysh traditën e gjatë, punën dhe veprimtarinë serioze të këtyre manifestimeve, Ministria do të vijojë të mbështesë edhe në të ardhmen nisma të tilla serioze “Shpresojmë dhe besojmë që në të ardhmen edhe më tepër të kontribuojmë bashkë për zhvillimin e artit dhe kulturës shqiptare”, theksoi Aziri.

Më herët në kuadër të këtij aktiviteti u promovuan disa libra dhe autorë, si: monografia: “Klubi i Shkrimtarëve Jehona e Karadakut – Një çerekshekull”; Revista: “Doruntina” nr.52/53; Bejtush Memeti: “Rrethi që pret përjetësinë”, roman; Arben Ibrahimi: “Psherëtima të pakënduara”, poezi; Fatos Rushiti: “Kurorë”, poezi.

 

Ndërkohë, pas triumfit me çmimin e parë, Televizioni Kombëtar i Maqedonisë “Alsat” i kushtoi një hapësirë të konsiderueshme me një emision në studio, autores nga Shqipëria. Në veçanti Rama foli për jetën, veprën e saj, si dhe çështje të letërsisë së sotme shqipe, në përgjithësi.

 

 

POEZIA FITUESE E VENDIT TE PARE

 

Vajzës së palindur

 

Sonte, në flokët e tu, paska shumë heshtje.

fytyra ime bie erë së largu frymën tënde.

Mes nesh, ngjizur harta mallesh, mbuluar nga

distanca kilometrike,

ti – vazhdon të derdhesh lumë në gjakun tim.

 

Ti fle!

Të zgjoj çdo ditë, të pajetë në shtratin tim,

e, pas çdo zgjimi, më fshihesh pas cijatjes së erës,

pastaj era, e ngopur me ty, kërruset nëpër

flokët e mi.

 

Xhan!

Ti noton në ujin tim që më bëhet breg,

unë, me lutjen e bimës sate, shkel në bregun që

bëhet ujë.

Mbi ty, më kalojnë pranvera të paçelura,

unë, urat e tua hedh përmes trupit tim.

 

Ti, ojnë!

Lule-bijëz, që banon në mua,

unë, lot i paterur, që banoj në trupa grash.

Ti më sheh, tek u thith helmin zeher derdhur nga zërat

ata zëra, që ua ndërtojnë nga e para çdo dhimbje.

Hyj e dëbohem në kurme grash,

ti, hyrë e pa dalë në trupin tim.

Po, ç’grua qenkam unë,

që të mbaj me vete e s’mund të të zbres në tokë

nga frika se të nëpërkëmbin

nëpër duar, nëpër gojë;

nga frika se s’ta ruaj dot të paprishur

trëndafilin e buzëve.

(ç’sy që paske, bijë!)

 

Bijo, kot mërzitesh me mua!

Ja, edhe shoqet e tua që linden

bëjnë të ecin, krahë për krahë me fluturat,

por s’qeshin kurrë.

S’qeshin dot

kur prekin grinë e tokës

e dritën e ndotur,

se ajri në grushtin e tyre nuk qëndron;

ato s’e shohin dot atë,

e mbeten në dëshirën e vazhdueshme:

të prekin pak ajër të ndershëm,

ta kapin e t’ia dhurojnë

çdo të dytës shoqe bashkëmoshatare.

 

Bija ime!

Këtu gria përqafon çdo ditë,

pa krye, pa fund,

e aq pa fund e krye,

se qenka kohë qafë e sythyer,

një e nga një

po na mbledh në lamtumirën e yjeve,

e çastet e tua

s’mund të bëhen çaste të vjedhura prej saj,

se unë vdes pastaj!

 

Me copat e tua të vockla

kam ndërtuar mijëra vajza të tjera,

i kam thurur prej kënaqësish të vogla.

Kaq munda…

Sa t’u qepja në ballë nga një yll,

që të mos ua lija mbrëmjet të errëta.

Migrova nëpër to

e u dhashë nga pak engjëj, sa për fat,

të kenë mundësi t’i ikin furtunës vrastare,

në duar ua kam vënë perin tënd të fluturimit,

për ta endur vetë ëndrrën e tyre.

 

Mos më shih trishtueshëm!

Gjuhët e prillit janë më të zjarrta se më parë,

se prilli është më i gënjeshtërt,

e nuk është e lehtë të mbash mbi supe

qiellin e tij ngarkuar me rè.

Shiun dymbëdhjetë muajsh

që mbajta mbi vete,

nuk doja ta mbaje edhe ti,

se ish i rëndë.

E vogla ime!

Në gjumin tim qenia jote zmadhohet,

bëhet e madhe,

si një vullkan që rrit shpërthimin e tij.

Në mëngjeset e tua

i shkund gjithë dashuritë e mia.

E parritura ime e pambërritur!

Të paardhurit nuk janë si të vdekurit;

të vdekurit i mbërthen mali i ndërgjegjes,

të paardhurit janë të panisur,

ata janë udhëtarë të vetes,

dëshiruar në adhurim tërë jetën.

 

Kopja ime e munguar,

sa do doja të të njihja!

                    (Majlinda Rama)