.
×

Zhbogar kërkon që çështja e Trepçës të zgjidhet brenda institucioneve të Kosovës



Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, ka thënë se kontesti rreth kombinatit Trepça duhet të zgjidhet brenda institucioneve të Kosovës, me pjesëmarrjen e serbëve që janë të pranishëm në qeveri dhe Kuvend.

Në ditën kur Trepça është duke dominuar politikën dhe opinionin në vend për shkak të paqartësive rreth fatit të saj, Zhbogar është shprehur se duhet bërë gjithçka që ky kombinat t’i shpëtojë likuidimit.

“Nuk është në interes të askujt që Trepça të shkojë në likuidim gjë që do të humbte mijëra vende pune”, tha sot Zhbogar, transmeton kallxo.com. “Qeveria doli me propozim javën e kaluar dhe fatkeqësisht në atë seancë, ministrat serbë nuk ishin të pranishëm, por unë e jam informuar se sot në mëngjes ata u takuan prapë dhe ministrat serbë ishin aty, prandaj kjo është mënyra për të gjetur zgjidhje. Meqë ka ministra serbë në qeveri, duhet të diskutohet nga brenda dhe të gjenden zgjidhje brenda sistemit. Serbët janë edhe në parlament dhe duhet të gjendet një zgjidhje brenda dialogut të brendshëm”, u shpreh Samuel Zhbogar.