.
×

Zgjedhjet në veri, regjistrohet vetëm PDK’ja



Vetëm PDK aplikon për certifikim për zgjedhjet në veri, sonte në mesnatë afati i fundit për subjektet tjera, raporton T7 Ka nëntë ditë që Komisioni Qendror Zgjedhor ka hapur afatin për regjistrim për partitë politike, që duan të marrin pjesë në zgjedhje në veri të Kosovës.

Ndërkohë që subjektet politike serbe, edhe kanë filluar fushatën në këtë zonë të Kosovës. Por, pavarësisht këtij aktiviteti të shtuar sidomos nga Lista Serbe, kjo parti ende nuk ka aplikuar për certifikim në KQZ. Njëjtë deri me tani ka vepruar edhe Partia Liberale Serbe.

Televizioni gjatë tërë ditës ka tentuar të marrë një përgjigje nga këto parti, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.Por, ndryshe ka vepruar një parti shqiptare – Partia Demokratike e Kosovës. Është Gonxhe Qaushi, kandidate e kësaj partie, që do ia mësyjë garës për kryetare të Mitrovicës së Veriut.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do kandidojë në këto zgjedhje, mirëpo në këtë parti thonë se do kenë komisionarë. E pranishme në Mitrovicë Veriore, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok s’do të jetë as Lëvizja Vetëvendosje. Ndërkohë, deri me tani kjo parti nuk ka njoftuar se u është nënshtruar procedurave të certifikimit. Por, pavarësisht se a certifikohen apo jo parti të tjera Mitrovica Veriore, Zvecani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi, do të shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Se nuk ka asnjë problem për të vepruar kështu e thonë edhe në Institutin Demokratik të Kosovës. Ndërkohë, afati i fundit për të aplikuar për certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për të marr pjesë në zgjedhje të jashtëzakonshme për komunat Veriore të Kosovës, është ora njëzet e katër të datës 18 prill.