.
×

UNMIK i kishte udhëzuar stafin të rrinë në shtëpi ditën e operacionit



Përfshirja e zyrtarit rus të UNMIK-ut, Mikhajl Krasnochenkov, në përkrahje të serbëve të veriut për ta bllokuar operacionin e Policisë së Kosovës kundër krimit të organizuar në atë pjesë, ngjalli debat të madh në media.Zëdhënësja e UNMIK-ut kur është pyetur nga RTK pse Krasnichenkov ishte te barrikadat kur stafi i UNMIK-ut ishte udhëzuar të qëndrojë në shtëpi atë ditë, ajo nuk e pranoi që stafi ishte udhëzuar të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

Në një intervistë për RTK pat thënë se stafi i UNMIK-ut ishte në detyrë atë ditë për të monitoruar ngjarjen.“Ne e kemi kuptuar se stafi i OKB-së në fjalë, po kryente përgjegjësitë e tyre për të monitoruar dhe raportuar për një situatë të zhvilluar, në përputhje me mandatin e UNMIK-ut”, ka thënë për RTK zëdhënësja e UNMIK.

Por një komunikim zyrtarë që RTK e ka siguruar nga burimet e veta, tregon qartë se UNMIK i kishte urdhër stafit të vet të qëndrojnë në shtëpi, për shkak të operacionit policorë.Në një email që Danilo Rosales-Diaz, udhëheqës i zyres rajonale të Mitrovicës në UNMIK, i dërgon stafit të UNMIK-ut të katër komunave veriore, shihet qartë se stafi ka qenë i detyruar të qëndrojë në shtëpi ditën e operacionit policor.

“Deri në njoftimin e ardhshëm, i gjithë stafi në katër komunat veriore këshillohen të rrinë në shtëpi. Aksioni aktual i policisë i ka cak katër komuna. Për hollësi do të njoftoheni më vonë”, thuhet në emailin zyrtarë që z.Rosales-Diaz ua kishte dërguar stafit të tij.

Gjithashtu RTK ka siguruar edhe sms-ët me të cilët ishin marrë vesh stafi i UNMIK-ut atë ditë.“Përderisa po vazhdon operacioni policorë në veri, deri në një njoftim tjetër, stafi këshillohet të shmang të gjitha lëvizjet prej SA-1 deri te SA-2; stafi i SA-2 këshillohen të punojnë nga shtëpitë e tyre”, shkruhet në sms që ka qarkulluar te të gjithë stafi i UNMIK në katër komunat veriore.

Këto fakte të siguruara nga RTK dëshmojnë edhe njëherë se prezenca e zyrtarit rus, Mikhael Krasnechinkov te barrikadat ku i kishin vendosur serbët për ta penguar operacionin policor të Kosovës, ishte e dyshimtë.