.
×

“Sky Sports”: S’ka shans që të jenë 119 kombëtare më të mira se Kosova



Në një analizë për ndeshjen e Anglisë me Kosovën, mediumi prestigjioz britanik “Sky Sports”, ka thënë se s’ka shans që 119 kombëtare të jenë më të mira se ajo e “Dardanëve”, duke u bazuar në ranglistën aktuale të FIFA-s.

Gazetari Kavel Solhekol në analizën e tij se çfarë është mësuar nga përballja të cilën Anglia e fitoi 5 me 3 në kuadër të Grupit A kualifikues për “Euro 2020”, ka lavdëruar paraqitjen e Kosovës.

“Dardanët” pësuan humbjen e parë në dy vjetët e fundit dhe pas 15 ndeshjeve pa humbje. Goli i parë i ndeshjes erdhi nga Valon Berisha në minutën e parë, por “Tre Luanët” shënuan pesë herë deri në mbyllje të pjesës së parë. Në pjesën e dytë, mysafirët shënuan dy herë për të frikësuar anglezët.

“Është shumë e pazakontë të shohësh Anglinë që pëson tre gola në një ndeshje garuese në shtëpi. Herën e fundit që ndodhi kjo ishte 12 vjet më parë ndaj Kroacisë. Kosova shfrytëzoi të gjitha gabimet individuale nga lojtarët anglezë dhe mund të shënonte edhe më shumë”, ka shkruar ai, transmeton Koha.net.

Solhekol duke folur për serinë e mrekullueshme të anglezëve, ka veçuar rreshtimin në mbrojtje. Përzgjedhësi Gareth Southgate është duke eksperimentuar me mbrojtjen gjatë kualifikimeve, por pritet që ai në garën finale të luajë me tre lojtarë në mbrojtje. Ai ka shkruar edhe se a duhet të jetë Jadon Sancho apo Marcus Rashford si startues. Ishte Sancho që realizoi dy gola dje ndaj Kosovës, dhe, sipas Solhekolit, Anglia dukej më e rrezikshme në krah me Sanchon në lojë. Forma e jashtëzakonshme e Sterlingut që realizoi një gol e asistoi tre herë, ishte pika tjetër kyçe e ndeshjes.

Në pikën e fundit ai ka folur për Kosovën si forcë në rritje.

“Ata janë sikur vëllezër që luajnë për fanellën dhe flamurin e shtetit të tyre të ri. Ata luajnë futboll ofensiv dhe punojnë pareshtur kur nuk e kanë posedimin. Qëndrimi i tyre për mos dorëzim i bëri tifozët anglezë nervozë në dhjetë minutat e fundit edhe pse udhëhiqnin 5 me 3”, ka shkruar ai duke theksuar edhe qëndrimin në këmbë të të gjithë stafit teknik të Kosovës me festën e çmendur të tyre pas çdo goli.

“Vetëm 24 orë më herët po diskutonim si kualifikimet janë bërë bajate dhe rutinë për Anglinë. Dikush sigurisht harroi t’i tregonte Kosovës. Ata mund të jenë në renditje në vendin e 120-të në ranglistën e FIFA-s, por nuk ka shans që të jenë 119 kombëtare më të mira se ta. Janë në vendin e tretë në Grupin A dhe falë përfundimit në vend të parë në grupin në Ligën e Kombeve, kanë të garantuar një vend në play-off për një vend në ‘Euro 2020’”, ka shkruar më tej ai.

Solhekol ka thënë po ashtu se nuk do të ishte befasi nëse “vazhdohet ëndrra dhe i shohim kosovarët dhe fansat e tyre në ‘Euro 2020’, duke shtuar se s’do të ishte befasi as nëse një ditë në Angli shihen duke luajtur lojtarët e Kosovës, sidomos Valon Berisha e Vedat Muriqi.