.
×

Shqipëria po i diskriminon qytetarët e Kosovës në raport me politikanët



Mos ratifikimi në Kuvend i marrëveshjes së demarkacionit në mes Kosovës me Malin e Zi, vazhdon t’i mbajë peng qytetarët e vendit për të udhëtuar lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian.Edhe pse Projektligji nr. 06/L-028 për ratifikimin e marrëveshjes pritet të shqyrtohet të hënën në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike dhe më pas t’i dërgohet Kryesisë për procedim në Kuvend kur edhe pritet votimi i saj, për këtë të fundit ende nuk ka ndonjë epilog. Kjo për shkak se jo vetëm opozita por edhe partnerë të koalicionit qeverisës janë kundër marrëveshjes aktuale, duke shprehur qëndrimin e tyre se nuk do ta votojnë.E mungesa e liberalizimit të vizave pavarësisht që ka izoluar qytetarët , e njëjta gjë nuk po ndodh edhe për përfaqësuesit e popullit. Ditë më parë kryeministri i vendit Ramush Haradinaj së bashku me familje ka marrë pasaportën e Shqipërisë, ku me këtë pasaportë do të udhëtojë lirshëm pa asnjë pengesë.Këtë veprim nga shteti i Shqipërisë ndaj tij, Haradinaj e ka publikuar me mburrje në njërin prej postimeve të tij, duke e ditur shumë mirë, që qytetarët nuk do ta kenë këtë mundësi.Për analistët në vend veprimi i Ramush Haradinajt e po ashtu edhe i Shqipërisë po shihet si i padrejtë.Politologu, Gurakuq Kuçi thotë se një veprim i tillë ndjell urrejtje edhe ndër-shqiptare.“Vendimet e Shqipërisë për tu dhënë disa ‘politikanëve’ të Kosovës nënshtetësi shqiptare, është i padrejtë dhe diskriminues, një akt aspak patriotik dhe i shpifur që ndjell urrejtje edhe ndër-shqiptare, pasi sa shumë shqiptarë janë politikanët e Kosovës, nuk janë me shqiptarë se populli, veçse më pak. Dhe Shqipëria është vendi amë i shqiptarëve nga Kosova dhe jo i politikanëve nga Kosova”, ka thënë ai. Ndërsa, duke folur për demarkacionin Kuçi ka thënë se në formën e tanishme kjo marrëveshje nuk do t’i marrë votat e mjaftueshme në Kuvend.Sipas tij, kryeministri Haradinaj e ka proceduar për në Kuvend demarkacionin për t’u rrëzuar.“Kryeministri nuk e ka iniciuar për në Kuvend për tu miratuar por për tu rrëzuar. Edhe kjo mënyra se si po paraqitet para mediave, që ligji për caktimin e kufirit me Malin e Zi të kaloj me ndryshimin e një neni, është një manipulim me publikun. Sepse, ata mund të bëjmë ndryshime sa të duan por pa një marrëveshje me Malin e Zi gjithçka është e pavlefshme përveç thirrjes te pika e marrëveshjes dhe Kushtetuta se marrëveshja hyn në fuqi vetëm me miratimin nga Kuvendi i Kosovës. Sidoqoftë kauzën sa do të drejtë të mbrojtjes së tokës së Kosovës, politikanët nga të dyja anët e kanë përdhosë dhe humb çdo vlerë të mundshme”, ka pohuar ai.Kuçi ka theksuar se beson se demarkacioni në Kuvend do të bie ose nuk do të krijohet kuorumi për mbajtjen e seancës.Ndërsa, analisti Haki Abazi ka thënë se aktualisht nuk është koha e duhur për ta sjellë demarkacionin në Kuvend.“Kosovarët nuk janë në pritje të liberalizimit të vizave në kohën e krizave të krijuara dhe çështjeve ekzistenciale të shtetit. Sjellja e marrëveshjes për demarkacionin në Kuvend në këtë moment pa koncensus politik se çfarë duhet të jenë hapat e mëtutjeshëm është papjekuri politike dhe provokim i situatës së përgjithshme”, ka thënë Abazi.Sipas tij, në këto rrethana po tentohet të bëhet ndarja e LDK-së nga VV-ja për të shkatërruar opozitën dhe për t’i dhënë legjitimim krahut të dezertorëve të VV-së.Ratifikimi i Demarkacionit në Kuvend është njëri prej kushteve kryesore që ka vënë BE-ja ndaj Kosovës për liberalizim të vizave. Vitin e kaluar, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, gjatë një takimi që pati në zyrën e tij me homologun e tij nga Shqipëria, Ilir Meta kërkoi nga ai që shteti i Shqipërisë të pajis qytetarët e Kosovës me pasaporta në mënyrë që këta të fundit të mund të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së.Mirëpo kjo ide është hedhur poshtë nga zyrtarët më të lartë shtetëror të Shqipërisë të cilët më pas deklaruan se kjo nuk është zgjidhje e duhur.