.
×

Serbisë nuk i interesojnë marrëveshjet me Kosovën, nuk ka as takime për kufirin



Botapress 15  Maj –  Arrestimi i shefit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në marsin e vitit 2018, nuk ka kaluar pa veprime hakmarrëse nga pala serbe. Ata kanë hedhur poshtë zbatimin e të vetmes marrëveshje që funksiononte mes doganave të të dyja shteteve.

Kjo ka shkaktuar anulimin e takimeve mes palës kosovare dhe asaj serbe në pikat doganore Jarinjë dhe Bërnjak, të parashikuara në marrëveshjen e Brukselit të vitit 2011.Sipas kësaj marrëveshjeje, të dyja palët duhet të takoheshin për diskutim së paku një herë në muaj, bashkëpunim i cili realizohej përmes “EULEX”-it.

Drejtori i pikave doganore në veri, Besim Curri tregon se takimet kanë pasur ndikim në menaxhimin e kontrabandës, pasi Veriu i vendit konsiderohet si “zona gri”.“Në territorin e Mitrovicës zakonisht kemi ekipe 24 orë, të cilat bëjnë edhe kontrollin e dytë, përpos kontrollit që bëhet në pikën kufitare.

Bëjmë kontrolle edhe në rrugë, ku ka ekipe aktive në 24 orë të ditës”, tha Besim Curri, drejtor i pikave doganore në veri.Erik Morina tregon se palës serbe i është ndaluar komunikimi me ta në çfarëdo forme.

“Takimet kanë qenë shumë të rëndësishme, por për momentin nuk kemi takime të rregullta. Sigurisht që mungesa e takimeve të tilla na shkakton mangësi në marrjen e informacioneve lidhur me procedurat doganore”, tha Erik Morina, shef i ndërrimit në pikën doganore Jarinjë.

Top Channel ka provuar të marrë një qëndrim nga zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Koçijançiç, por ajo nuk është përgjigjur. Megjithëkëtë, Serbia ka nisur edhe më tepër mosrespektimin e marrëveshjeve të Brukselit, pas vendosjes së masës nga nëntori i vitit të kaluar. Përkundër kësaj Bashkimi Europian nuk ka reaguar.