.
×

Samadrexha, në ditën e 26 Marsit të vitit 1999



Shkruan Zenun Rusi – Për ta shënuar 26 marsin e vitit 1999, familjarët e dëshmorëve të Samadrexhës, të prirë prej Morinëve, Bekteshëve e Bajraktarëve të Samadrexhës edhe këtë mars do të ngjiten shkrepave të Cerit plak, andej nga u kalitën dhe u rriten derisa e mbrojtën për çdo pëllëmbë të prirë nga Feimi, Bekimi, Xhaviti, Avniu, Arifi, Lulzimi, Mirsadi, Demiri, Latifi, Sinani, Nexhmedini e Hyseni së bashku me Bujar Thaqin e thaçjanëve të Retisë së Rahovecit, me Jeton Kabashin e kabashajve të Opterushës dhe me Valon Myrtajn të Dubravës së Istogut. Dhe kështu nëpër këto male të pushtuara prej kohësh, samadraxhasit do ti përkujtojnë luftëtarët e Samadrexhës që nëpër ato furfullaza tash e sa vite nderojnë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kujtojnë atë mars të përbaltur me fluska bore që dielli i vonuar pranveror kishte filluar ta shkrijë, sepse jeta ishte jetë. Ajo mbrohet me jetë. Të vdesësh për të mbrojtur jetën e popullit tënd ke mbijetuar vdekjen. Ishte momenti më i rëndësishëm kur Feimi, Xhaviti, Arifi, Bekimi me bashkëluftëtarët e tjerë të Samadrexhës u ngritën siç ringjallet feniksi nga hiri nga toka e nga trungu, e lidhen besën se o të gjallë o të vdekur nuk do ta lënë të pushtohet kjo tokë. Koha ishte për ta, tani jeta s’kushtonte më shumë se vdekja. Ky ishte projekti më i qëlluar i këtyre trimave që vite e vite më pare kishin filluar të hapërojnë drejtë këtij qëllimi. Qysh me këtë u shënua ai “Marsi i Samadraxhës”, prej të cilit i dha forcë “Marsit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, “Marsi i Pashtrikut të Egër”, të mbuluar nga krismat e panderprera nga tytat e trimave që i çanin shtigjet e lirisë. Por, marsi si marsi, me të ftohtë e vetem nga një rreze pak e nxente kohën, por më së shumti e nxenin breshërit e mitralozëve. Kahdo flakë, tym e ulurimë. Po bëhej një luftë e ashpër. Ishin këto pushkët e kushtrimit për liri. Ishin pushkët e Bekimit, Arifit, Xhavitit, Femimit, Lulzimit, Avniut, Hysenit, Nexhmedinit, Demirit, Ltifit, Mirsadit, Valonit, Jetonit, Bujarit, Sinanit, që hasmin shekullor e paraljmruan se kjo tokë ka zot dhe se është harxhuar durimi. Të tilla ishin, u bënë dhe mbeten Alpet shqiptare të Veriut. Të tillë u bënë edhe burrat e këtyre trojeve që jetonin për të pirë ujin e Alpeve krenare. Marsi filloi në vitin 1998 që zuri fill me jasharajt duke vazhduar me Tonin e Micin e vazhdoi me Mujën e Beqen duke u burmosur edhe të tjerët me këngën e tyre rapsodike “Thërret Prizreni mori Shkodër”, e Kosovës…? Kosovës i mbeti që përherë të rris Hamza e Adema, sepse: “për me pa t’bardhen dritë, dhetë ka lind, njo ju ka rritë”, siç kënduan rapsodët nga Kukësi. Të tillë ishin edhe Feimi, Xhaviti, Bekimi, Arifi, Avniu e të gjithë të rinjët, përsonazhe të një tragjedie optimiste, të shkruar në shumë akte, më me shumë episode, pamje e tablo, të përcjellë me shumë ofshe e trakte të simfonive të atij marsi ku jehuan lugjet e shkrepat e Pashtrikut, ndërsa nënat i dëgjonin këngët e tyre në Breg të Cerit. Dhe ato ditë marsi 1999 Samadraxha u bë log i burrave të një bote promothoike e të përpjekjeve prej sizifi për ti thënë një herë e përgjithmonë bukës bukë, e ujit uj, për t’ia thënë më në fund botës se ku i kemi gurët e për t’ia kënduar edhe një herë se së paku rreth flamurit do të duhej të jenë të pë përbashkuar si kurrë më parë, prandaj në vitin 1999 u mbështollën në flamuj të kuq. Dhe ato ditë u quan gogolët e “Mbretërisë së Skëterrës”, u ngjallën “Kasapët e Ballkanit”, u krekosën “ Kanibalët e Karpatëve” për ti thyer Ata që fshatin e thyenin të kërrusur nën barren e luftës e nën peshën e shpresave për një të ardhme së cilës i këndonin edhe Muja edhe Beqa, për ti ngrënë djelmoshat që thyenin pjesët e Pashtrikut vetëm e vetëm ta bënin Pashtrikun e shqiptarëve dhe të jetonin të lirë në Kosovën e shqiptarëve, kështu u këndu për shpresat e luftëtarëve të Samadrexhës.