.
×

Ronaldo pranon gabimin që bëri te Interi: “Nëse do të kthehesha mbrapa, do t’i bëja gjërat ndryshe”



Luis Nazario da Lima, i njohur nga të gjithë si Ronaldo, ka qenë protagonist i një interviste interesante të dhënë për “Sky Sport” gjatë emisionit “Zotërinjtë e Futbollit”.

Ronaldo, i njohur me nofkën, Fenomeni, për “Sky Sport” ka zbuluar një histori interesante që ka ndodhur gjatë kohës kur ai luante në Serie A, te Interi, transmeton Gazeta Express.

Ai ishte pjesë e Interit për 5 vite, nga viti 1997 deri më 2002. Por, po pothuajse 2 vite nuk luajti për shkak të një dëmtimi të rëndë që pësoi në gju, lëndim që ia ndryshoi rrënjësisht karrierën.

Ronaldo, që e ka veshur edhe fanellën e Real Madridit dhe Barcelonës, ka thënë se Interi do të mbetet gjithmonë skuadra më e veçantë për të dhe nëse do të kishte mundësi ta kthejë kohën mbrapa, sot do t’i bënte disa gjëra ndryshe.

“Inter është në zemrën time dhe do të mbetet përgjithmonë”, u shpreh Ronaldo për “Sky Sport”. “Disa gjëra do t’i bëja ndryshe nëse do të kthehesha mbrapa, siç ishte vënia me shpatulla pas muri e presidentit Masimo Moratti për të vendosur të ardhmen time”. “Në momentin që i kam kërkuar të shkarkonte Cuperin, përndryshe unë do të largohesha, ai vendosi ta mbante”.

“Do të kërkoja t’ia shpjegoja idenë time në një mënyrë tjetër. Gjithsesi, kanë qenë pesë vite shumë të bukur të jetës sime. Pesë vite në një qytet që kam mësuar ta dua, me njerëzit që më kanë dhënë shumë dashuri”, shtoi ai.

“Kam një lidhje të veçantë me Milanon dhe Interin që nuk besoj se do të ndryshojë ndonjëherë. Dashurinë që kam marrë në Italia nuk e kam marrë në asnjë vend tjetër. Nuk ka dyshime për këtë. Tani që jam president, shembulli im është Moratti”, theksoi mes tjerash 42-vjeçari.

Ronaldo, që ka fituar shumë trofe në karrierë, vlen të përmendet këtu Kupën e Botës për Klube me Brazilin, por kurrë Ligën e Kampionëve – ka bërë 99 paraqitje me fanellën e Interit, duke realizuar 59 gola.