.
×

Rexhep Shahu: Ministri Ahmet Krasniqi na ka marrë për dore



Jam i privilegjuar që flas sot në Shpinë e madhe të librit në Prishtinë para kaq shumë njerzish të nderuar e autoritetesh të larta morale, politike e ushtarake, për librat e një heroi real që pati fuqinë të na marrë përdore.

Ministri Ahmet Krasniqi që ishte përfaqësuesi më përfaqësues i oficerave profesionistë të Kosovës që vinin nga përvoja direkte luftarake në luftra me armë zjarri në Bosne a Kroaci, ka hyrë në histori si ministri shqiptar i mbrojtjes e luftës së Kosovës, i vrarë pabesisht në Tiranë, por librat e tij e lartësojnë edhe më shumë pasi librat jetojnë përtej sa mendojmë ne të gjallët.

Vrasja e tij është pjesë e çmimit të rëndë që ka paguar Kosova për lirinë e saj. S’duhet të harrojmë se Vaso Çubrilloviqi në 1939 shkruante se në Tiranë bën punë paraja…

Ai u vra fizikisht por do të jetojë gjithmonë në kujtesën kombëtare.

Librat e Ministrit Ahmet Krasniqi që i ka përgatitë miku im misionar i çmuar i çeshtjes shqiptare Skender Zogaj janë një provë e madhe e asaj se ai nuk ishte thjeshtë një ushtarak që njihte artin e luftës, por ishte një intelektual i kompletuar, strateg dhe jo rastësisht ministër.

Nga Ditari “17 shtatori” dhe libri me analiza ushtarake “Shqiptaret ne luften kroate”, nga përshkrimet e informacionet e tij për luftën në ish Jugosllavi, për Kroacinë, për ushtrinë jugosllave e kroate, angazhimi e marrja përsipër e detyrave dhe aksioneve të forta që vetem një patriot dhe një intelektual i vertetë mund ti merrte, sakrificat e pashembullta që kaloi, na pohojnë se ushtarakët profesionistë shqiptare kanë qenë e janë një pasuri e rrallë dhe e jashtëzakonshme për Kosovën.

Jeta e Ahmet Krasniqit, vuajtjet e veshtërsitë, pengesat e pamundësitë që iu krijuan nga shteti jugosllav e serb, përsekutimi ndaj tij e familjes së tij me emer te madh, formuan tek ai burrin e fortë me një karakter të lartë, patriot të madh, trim e intelektual model.

Krahas Ditarit “17 shtatori” për njohuritë e aftësitë brilante ushtarake, profesionale dhe intelektuale të Kolonel Ahmet Krasniqit, lexuesit kanë rastin të binden edhe nga libri “Shqiptarët në luftën kroate”, që përbëhet nga dy analiza të thella ushtarake.

Në “Analiza e shkaqeve kryesore të luftës në hapësirën e ish Jugosllavisë, shikuar nga pikëpamja ushtarake” autori Krasniqi pohon me kopetence se hegjemonizmi serbo-sllav është thelbi i problemit, akrep i fatkeqësisë shekullore në hapësirat ballkanike tashmë i identifikuar si i këtillë dhe është detyrë jona për ta provuar e për ta treguar dhe marrë masa konkrete që të korrigjohen padrejtësitë historike sidomos ndaj shqiptarëve të viktimizuar deri në absurd.

Mendimet e ministrit Krasniqi janë vlerësime shkencore të një oficeri elitar, që e argumenton shkatërrimin e pashmangshëm të Jugosllavisë.

Një nderim e admirim të madh koloneli ka shpalosur për shqiptarët në Kroaci në librin “Shqiptarët në luftën kroate”. Ai përshkruan si strateg gjendjen totale e ushtarakëve shqiptarëve që APJ-ja ua kishte mbushur zemrat me dëshpërim e urrejtje të pafund, prandaj masivisht ia kthejnë shpinën dhe’ia drejtojnë pushkën e hakmarrjes. Kështu veprojnë shqiptarët në Kroaci që vetorganizohen dhe formojnë grupe të pastra ushtarake dhe luftojnë për Kroacinë që e konsiderojnë atdheun e tyre të dytë. Koloneli me mburrje flet për heroizmin e shqiptarëve të Bogdanovcit (me prejardhje nga Gjurakovci i Istogut), të cilët në Frontin e Vukovarit tregohen më të fortë se granatat e artilerisë dhe urrejtja e kriminelëve të Serbisë, nga të cilët janë vrarë 10 dhe janë plagosur 6 shqiptarë të Bogdanovcit.

Kosova kishte oficerë të lavdishëm se lavdinë e fituan në luftra të verteta me armë zjarri e jo në stërvitje a në zbore ushtarake me pushkë druri.

Ushtria e Shqipërisë me oficera të zot por të paprovuar në luftra mbeti ushtri e palavdishme sepse lavdia fitohet në luftë e jo në paqe. Ajo mburret se ndonjë efektiv i saj ka stërvitë ndonjë grup ushtarësh të UÇK-së. Por ushtarakët e Shqipërisë nuk ia kanë mësuar luftën as pushkën Adem Jasharit apo Sali Çekës. As nuk e kanë udhëheqë luftën për lirinë e Kosovës aq sa e kam udhëheqë unë. Dhe lufta e UÇK nuk eshte bere ne Burrel.

Ushtria e Shqipërisë nuk e mbrojti teritorin e saj pasi 1400 hektarë u mboll me mina antinjeri, antitank, me duart e ushtarëve serbë në Kukës, Has, Tropojë dhe nga këto mina serbe vdiqën mbi 50 njerëz e mbetën invalidë mbi 270 të tjerë.

Të gjallët kanë gjithmonë kohë me u koritë, si përshembull me e çue numrin e ushtarëve të UÇK e të veteranëve të saj në Kosovë e Shqipëri më të madh se sa djem kishte Kosova në gjendjen civile para lufte, ose me shpallë veteranë të UÇK krejt SHIK e Shqipërisë dhe enveristat e qeverisë së atëhershme të Tiranës.

Në dy librat që po i promovojmë sot, lexuesi e gjen Ahmet Krasniqin ashtu siç ishte, i thjeshtë dhe modest, burrëror, i vendosur për ta shprehur të vërtetën, pa ua vënë veshin thashethemeve prapa hijes së trupit të tij. I ka përjetuar të gjitha llojet e intrigave, prandaj më mirë se gjithkush e di peshën e padrejtësisë.

Por, kundërvënia e Kolonelit është thellësisht e pikëpamjeve iluministe, sepse, i përket gjakut fisnik. Kjo është edhe mënyra e shkrimit që i karakterizon dy librat, sidomos Ditarin, që unë e konsideroj model të memoareve në publicistikën shqiptare.

Kam folë e shkrue me adhurim për ministrin Ahmet Krasniqi të vrarë tradhëtisht në Tiranë, për me pengue fuqizimin e faktorit ushtarak shqiptar dhe me sabotue luftën, me vonue lirinë e Kosovës. I jam ankue mikut tim hero Sali Cekës se të gjallët nguten e flasin për veten e tyre më shumë se për të vdekurit që janë heroj më meritorë, pasi kanë dhënë jetën, gjënë më të çmuar për lirinë.

Me 14 shtator 1998 ministri Ahmet Krasniqi vizitoi në zyrë gjeneral Kudusi Lamën, pas natës kur Fuat Ramiqi e kaloi në burg në Kukës se i doli zot pistoletës së ministrit Krasniqi kur deshi t’ia merrte në udhë policia e Shqipërisë te depot e Karburantit të Kukësit. Fuat Ramiqi është oficeri i parë i lartë që ka ardhë në Kukës që më ka takuar për të gjetë e caktuar vendet ku do të ngriheshin qendrat e stërvitjes të UÇK.

Gjenerali disa ditë më jepte cigare Malboro nga paketat që ia kishte lënë atë ditë ministri Krasniqi dhe kur i ndizja ato cigare, thoja me zë e pa zë, tu rrite ndera Ahmet Krasniqi. Veç gjeneralit është deshmitar ushtaraku i lartë Ahmet Alishani me të cilin kam histori të bukura për të dhe kolegët e tij ushtarakë të lartë shumë të angazhuar që kaluan disa kohë në Kolsh e Kalimash e në zona të Tropojës.

Ushtar Valdet M Ziba, mos harro të kujdesesh për varrin e ministrit Ahmet Krasniqi siç je kujdesë në Tiranë… Besoj ka Valdeta qe do te kujdesen per varrin e ministrit Krasniqi.

Tu rritë ndera Ahmet Krasniqi! Ju ritë ndera ju të gjithëve.

Faleminderit që më dëgjuat.

Prishtinë, me 6 qershor 2019