.
×

Reçica: Fletëvotimet e kontrabanduara u tentua që për interesa partiake të shndërrohen në vota



Skënder Reçica nga Nisma Socialdemokrate ka thënë se mbrojtja e vullnetit të lirë të qytetarëve të Kosovës është obligim ligjor që nuk përjashton asnjë subjekt politik dhe asnjë individ.

“Dështimi eventual për të siguruar ligjshmëri të procesit zgjedhor, na shndërron në një shtet që s’respekton ligjet e veta, si dhe interesin qytetar nuk e vë në rend të parë. Kutitë e mbushura me fletëvotime të manipuluara në shumë forma e të kontrabanduara jashtëligjshëm nga Serbia në Kosovë u tentua që për interesa të ulëta partiake të shndërrohen në vota”, ka shkruar Reçica në Facebook.

“Në vazhdimësi po shohim dëshmi që edhe qytetarë të vdekur figurojnë në listat e votuesve dhe kanë “votuar” në këto kuti, prandaj këto kuti mund të jenë çdo gjë tjetër por jo votë qytetare. Si të tilla, ato duhet të anulohen. Vendimi i PZAP-së është i drejtë dhe tentimi i disave për ti legjitimuar ato vetëm se u shërben matematikave hipokrite për të dëmtuar vullnetin e mbi 42.000 votuesve kosovarë, është e papranueshme”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar askujt, as Vuçiçit dhe Beogradit të shtrijë dorën e manipulimit mbi shtetin tonë.

“Ne përfundimisht, të zhveshur nga interesat e ngushta, i tregojmë qartë Beogradit dhe kujtdo që përpiqet të mohojë vullnetin e qytetarëve duke mos respektuar ligjet në fuqi, se Kosova dhe qytetarët e saj nuk lejojnë një gjë të tillë”, tha Reçica.