.
×

Reagon Putini pas eliminimit të Rusisë nga Botërori



Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i ka telefonuar trajnerit të ekipit kombëtar rus, Stanislav Cherchesovit, për ta uruar ekipin përkundër eliminimit nga Kupa e Botës.

Kroacia i dha fund ecurisë befasuese të Rusisë në çerekfinale në tokën e saj pasi e mposhti 4-3 në penallti, duke u kualifikuar në gjysmëfinale, transmeton Gazeta Express.

 

Denis Cheryshev i kaloi nikoqirët në epërsi me një goditje mahnitëse nga rreth 18 metra largësi, megjithatë iu desh edhe një gol me kokë në minutën e 115-të nga Mario Fernandes për ta dërguar ndeshjen në penallti, pas golave të Andrej Kramaric dhe Domagoj Vida.

 

Edhe pse Rusia dështoi ta siguronte një vend në gjysmëfinale me Anglinë, Cherchesov pohoi se Putini ka qenë i mahnitur nga paraqitja e ekipit.

 

“Kryeministri ynë [Dmitry Medvedev] ishte në dhomat e zhveshjes. Putini më telefonoi gjatë ditës dhe tani. Ai na uroi për lojë të mirë”, tha ai në një konferencë për media.

 

“Ai më tha se ajo çfarë ne kemi treguar në fushë ishte madhështore. Unë i thashë se jemi të zhgënjyer. Por, ai tha se duhet t’i hapim sytë dhe të vazhdojmë tutje”, shtoi ai.