.
×

Portret për mësuesen Melihate Hoti, nënën e dëshmorit, Visar Hoti



Jusuf Bytyçi: Pas katërdhjetë e katër viteve, u pensionua Ditën Historike të mandatimit të Ushtrisë!  Melihate Doli, nga Gjakova, e lindur më 14 dhjetor të vitit 1953, fill pas kryerjes së Shkollës Normale, nisi misionin e shenjtë të mësueses në shkollën atëherë tetëvjeçare të Rakocit (Anadrini). Si rrallë kush, Mësuesja Melihate, e filloi punën në Ratkoc më 1974, si 21 vjeçare dhe vazhdoi pandëprerë derisa u pensionua, më 14.12 2018. Po në këtë shkollë të fshatit më të madh të komunës së Rahovecit, tash ka afërsisht 6 mijë banorë, mësuesja Melihate e gjeti edhe shokun, bashkudhëtarin e jetës, gjeti njeriun e të njëjtit profesion, mësuesin vendës, Mustafë Hoti, me të cilin tre vite më pas, respektivisht më 1977, edhe u martua.Jemi martuar në vitin 1977, tregon mesuesja Melihate, ndërsa bashkëshorti i saj, Mustafë Hoti, e plotëson se nga kjo martesë e lumtur, u kanë lindur 4 fëmijë: Visari (Dëshmor), Teuta, Valbona, si dhe Vigani. Që të gjithë me fakultete të kryera. Shkolla nëntëvjeçare në Ratkoc, që në vitet e para të pas luftës, mori emrin “Katër Dëshmorët”, respektivisht Sahit Krasniqi, Visar M. Hoti, Safet Latifi dhe Naser Krasniqi. Në oborrin e kësaj shkolle janë ngritur bustet dhe janë skalitur emrat e katër dëshmorëve, ish- luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mësuesja Melihate, e SHFMU në Ratkoc, është e ëma e dëshmorit Visar Hoti. Shkolla Nëntëvjeçare “Katër Dëshmoret” në Ratkoc, aktualisht ka 520 nxënës dhe më se 30 mësimdhënës, tregoi profesori, Shani Hoti. Mësuesja Melihate, me emocione flet për përfundimin e misionit të shenjtë aktiv të mësueses. Ajo u pensionua zyrtarisht më 14 dhjetor 2018, në Ditën Hitorike të vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për mandatimin e FSK-së, si Ushtri e shtetit të Kosovës! Normalisht kisha emocione të përziera, emocione lotësh që po e përfundoja punën me nxënës dhe emocione gëzimi për formimin e Ushtrisë, për të cilën u sakrifikua-flijua edhe im bir, Visari, shprehet mësuesja Melihate. Me rastin e pensionimit, ajo përcolli një mesazh tek brezi i ardhshëm, se duhet të punojnë shumë për interesin e Kombit dhe kjo arrihet vetëm duke tejkaluar interesat personale. “Do të më mungojnë nxënësit, ditari ku jepja nota të larta, do të më mungojnë kolegët, mësimdhënësit”, thotë mësuesja Melihate Hoti, dhe shton se “tani e tutje, do të jetë mësuese e përkustuar ndaj nipave dhe e mbesave të saja në familje”! Melihatja edukatore, bashkëshorte, nënë e fakultetlinjve dhe e dëshmorit, gjyshe e shkëlqyeshme! Duke e çmuar profesionin që ajo e kreu për 44 vite, tha se nëse do të ishte e mundur që prapë të zgjidhte profesionin, sërish do të përcaktohej për mësuesi! Kjo mësuese, gjatë misionit të shenjtë të mësueses në SHFMU “Katër dëshmorët”, në Ratkoc të Rahovecit, me përkushtim, motiv dhe vullnet, edukoi, përcolli 11 gjenerata nxënësish të dalluar.E duke folur për Lirinë dhe Pavarësinë e arritur edhe me gjakun e djalit të saj, ajo u shpreh:” Liria nuk ka çmim”, por të rënët, shumë nga të cilët nuk patën mundësi të kryejnë shkollimin, studimet, t’i zëvendësojnë tash të rinjtë e të rejat e brezave në shkollim, me punë, me mësim, me dije, me djem e vajza të shkolluar, të edukuar, me fakultete të Edukimit, të Mjekësisë, si dhe të profileve tjera. Kjo mësuese, bashkëshorte, nënë dhe gjyshe shembullore, edhe sot, shpreh krenarinë e të qenit mësuese, grua e mësuesit-edukatorit shembullor, nënë e fëmijëve të arsimuar dhe patriotë, gjyshe e dashur, respektivisht nënë e dëshmorit. Me këtë rast, duhet shtuar se qëkur pata takuar për herë të parë, çifti Melihate dhe Mustafë Hoti, dukeshin edukatorë të dalluar, me kulturë të lartë, por njëherësh dukeshin miq dhe shokë të veçantë! Bashkëshortët e mrekullueshëm, Melihate dhe Mustafë Hoti, janë prindër të dëshmorit Visar Hoti, rënë heroikisht më 8 prill të vitit 1999, si 22 vjeçar, në një përballje kundër forcave të okupatorit serb në Bjeshkët e Zatriqit. Visari pati rënë krahas kushëririt të tij, Safet Latifi. Mustafë dhe Melihate Hoti, janë prindër edhe të dy vajzave, Teutës e Valbonës, si dhe Viganit, të tre kuadro të arsimuara profilesh të ndryshme. Mësuesja Melihate, ndërkaq shprehu edhe shqetësimet e saj (jo vetëm të saj) për ligjin paradoksal të MPMS, për të drejtën e përfituesve të pensioneve. Praktika e deritashme, ka dëmtuar këtë kategori punëtorësh-familjarësh, pasi u është imponuar të heqin dorë nga pensioni kontributdhënës mbi 40-vjeçar, për pensionin diçka më të lartë të djalit dëshmor! Letrat e pensionimit i kam rregulluar, por duhet të presim si do të veprojnë institucionet përkatëse, thotë ajo, duke shtuar se flitet se “do t’a ndryshojnë ligjin vetëm për familjet e dëshmorëve”. Por ka fakte se institucionet e shtetit veprojnë me kute të veçanta. Ka goxha raste kur një person përfitues i ndonjë pensioni, lejohet ende të punojë kudo, edhe në pozita të larta, drejtor drejtorie në Komunë, drejtor, zyrtar apo këshilltar në iks Ministritë e Qeverisë sonë, drejtor Kompanie, zyrtar i lartë në postë, KEK, shëndetësi e gjetiu, edhe mësimdhënës apo drejtor shkolle! Kështu lejohet në shtetin me shkallë tepër shqetësuese të të papunëve e të varfërisë ekonomike-sociale, ndërsa u injorohet kontributi afër 45 vjeçar mësuesve, profesorëve, punëtorëve?! E shohin mizën, por jo edhe buallin!