.
×

Pireva akuzon Abrashin se po vjen me bandë në kuvendet zgjedhore në Degën e III të LDK-së



Botapress, 13 qershor – Avdi Pireva, ka komentuar edhe mundësinë që kjo përplasje të jetë pasojë e garës mes të kryetarit aktual të degës së tretë në Prishtinë, Hazir Borovci dhe pretendentit për ta marrë drejtimin e kësaj dege, Arban Abrashi. Pireva ka thënë se të dy i ka miq, megjithatë ka thënë se Arban Abrashi po shkon me bandë kuvendet e degës së tretë.  “Nuk e di pse ishte aty. Arbani asnjëherë nuk ka qenë në zyrat e degës së tretë, prej ku edhe ka shku herën e kaluar. Anëtarët e Kryesisë qendrore e kanë të drejtën që të vijnë në kuvendet e nëndegëve. Ka qenë ai dhe Skënder Hyseni, i cili ka përcjell të gjitha kuvendet, por Arbani nuk e di pse ka ardhur”, ka thënë ai. Ai ka thënë se i ka miq edhe Hazir Borovcin, kryetari aktual i cili, sipas tij, po bën një punë unifikuese dhe asnjëherë nuk ka pasur tendenca për të destabilizuar procesin. “Ka qenë Bujar Hasimi i përfolur për kryetar. Si duket ka hequr dorë, sepse nuk po duket më në kuvende, qysh po vjen Arbani me grupin e tij, mos ta quaj bandë”, ka thënë Pireva. “Nëse në çdo nëndegë janë të njëjtit njerëz që tentojnë, e sidomos ku janë kryetarët e nëndegëve ose neutralë ose ka pjesa e Hazir Borovcit, po prishen kuvendet. Në lagjen e Muhaxhirëve u prish kuvendi, kryetari e kishte ndalë punën dhe mbeti Arbani dhe vazhdoi Kuvendin me një grup të vogël të njerëzve e dje e pardje komisioni për ankesa vendosi të pranojë Amir Simnicën kryetar që u zgjodh faktikisht pasi u mbyll Kuvendi sepse s’kishte kushte për t’u zhvilluar Kuvendi normal. Pas disa ditëve u mbajt e u zgjodh kryetar Gëzim Sinani, aktivist i LDK-së, si konsensual mes dy palëve e prapë komisioni po e njeh zgjedhjen e Simnicës, pa u ankuar ata në nëndegën tonë”, ka thënë ai. Më pas, Pireva, e ka akuzuar Abrashin se po luan pandershëm, duke u premtuar njerëzve se do t’i bëjë drejtorë në Komunën e Prishtinës kur të bëhet kryetar. “Kjo nuk i bën nder LDK-së”, ka thënë Pireva. Pireva e ka akuzuar direkt Abrashin, se qëndron prapa njerëzve që tentuan të prishin sot kuvendin e nëndegës së Matit. “Nëse shkon një kandidat që pretendon të fitojë komunën me shpërnda poste duke thënë se do ta jap këtë drejtori apo atë se do të jem kryetar i Prishtinës, nuk i bën nder as LDK-së as procesit. Normalisht që po flas për Abrashin sepse ai ishte sot ai që destabilizoi situatën sepse me urdhër të tij njerëzit vërsuleshin drejt dyerve”, ka shtuar ai. “Ai ishte në mesin e atyre që tentoi ta destabilizojë, me urdhrat e tij 7-8 vetë, prej tyre 3-4 hynë arritën të futen brenda pa pasur të drejtë, tentuan ta prishin procesin”. Sipas Pirevës, kryetari i LDK-së Isa Mustafa është i informuar për situatën, por ka thënë se nuk e di a po informohet siç duhet nga Abrashi. Ai ka thënë se megjithatë ka bindjen se LDK-ja është pjekur sa të mos lejojë të paguajë faturën e kuvendit të karrigeve. Avdi Pireva kryetar i rizgjedhur në nëndegën ‘Mati 1’ në Prishtinë, duke folur rreth incidentit në zgjedhjet e këtij kuvendi ka thënë se, disa grupe joformale po mundohen ta prishin imazhin e zgjedhjeve të brendshme të LDK-së. Ai ka thënë se kjo praktikë është bartur nga parti të tjera, pasi që sipas tij, më herët nuk kishte pasur raste të tilla. “LDK ka hyrë në një proces zgjedhor e përgatitur dhe në përpjekje për të bërë një proces të rregullt, por fatkeqësisht disa grupe joformale, disa individë po mundohen ta prishin imazhin e zgjedhjeve në LDK. Kjo dukuri nuk ka qenë e shprehur tek ne, por është bartur edhe nga partitë tjera”, ka thënë ai. Ai ka thënë se Dega e Tretë në Prishtinë, ka nëntë nëndegë, ndërkaq sot është mbajtur kuvendi i parafundit. Ai në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se për mbajtjen e kuvendit zgjedhor të nëndegës ‘Mati 1’, i ka ftuar të gjithë delegatët me kohë. Ai ka shtuar se paraprakisht kishte ftuar edhe policinë, duke u bazuar edhe në tensionet e mëhershme në disa nëndegë të partisë. “Të gjithë delegatët kanë qenë të ftuar me kohë. Madje i kemi njoftuar edhe pas ndryshimit të datës. Edhe në Nëndegën e Tretë të Ibrahim Rugovës janë zgjuar të gjithë dhe po interferojnë. Sot kam ftuar Kuvendin, delegatët ishin të mjaftueshëm. Policinë e kam ftuar dje, duke pasur parasysh edhe këto kuvendet e kaluara. Kemi parë të gjithë që po ka fërkime, duke pasur parasysh edhe zgjedhjet në nëndegën e ‘Muhaxhirëve’, unë e kam ftuar edhe policinë”, ka thënë ai. Ai ndër të tjera ka thënë se delegati Dukagjin Hyseni së bashku me gruan e tij Arta Krasniqi-Hyseni, kanë qenë të pranishëm në nëndegën “Muhaxhirët” duke votuar njërin nga kandidatët. Ai thotë se ata të dy kanë thënë se nuk duan të jenë pjesë e nëndegës së Mati 1. “Dukagjin Hyseni ka thënë se nuk është i interesuar të jetë pjesë e degës Mati 1, ai ka qenë aty bashkë me gruan e tij”, ka thënë ai. Ai ka folur edhe për Fatos Azemin, për të cilin ka thënë se nuk e ka pasur emrin në listën e delegatëve, dhe rrjedhimisht nuk ka pasur të drejtë të marrë pjesë në zgjedhje. “Partia ka disa rregulla dhe nuk mund të shkilen. Pika e parë e rregullores thotë se duhet të jesh anëtarë i LDK-së në atë lagje, të regjistrohesh 20 ditë para se të fillojë procesi zgjedhor, për të pasur mundësi që të marrë pjesë në zgjedhje”, ka thënë ai. “Fatos Azemi nuk e ka pasur emrin në listën e delegatëve, dhe është shumë normale që nuk është lejuar që të futet në sallë”, ka shtuar më tej. Ai ka treguar se i ka dërguar email Policisë, se do të mbahet një Kuvend, në këtë orë dhe këtë vend, duke parë mundësinë e rrezikut.  “Duke parë se si ka shkuar procesi në nëndegët tjera. Në plan të parë e kam pas jetët e njerëzve dhe pse të ndodhë një ekses në vendin që udhëheqë unë. Një orë përpara kanë ardhë, e kanë vendos veturën aty, më kanë thirrë në telefon. U kam thënë që po vijmë dhe gjithçka ka shkuar në rregull”, ka thënë ai. Ai ka thënë se “janë të njëjtit njerëz që janë testues ta prishin rendin dhe qetësinë, imazhin e zgjedhjeve në LDK.Pireva ka treguar se në zgjedhjet e kësaj nëndege, kanë marrë pjesë 38 delegatë. “Një nëndegë e re siç jemi ne është normale të ketë kaq delegatë. Me rregullore, 31 anëtarë e bëjnë kuorumin e një Kuvendi”, ka thënë ai.