.
×

Pal Lekaj ‘çorton’ Rufki Sumen: Mos guxoni t’i ndalni punimet e Bechtel-Enkas!



Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka reaguar lidhur me ndërprerjen e punimeve në projektin e autostradës “Arbën Xhaferi” respektivisht Prishtinë-Shkup (në mes të Kaçanikut dhe Hanit të Elezit).

Ky është reagimi i plotë i mistrit Lekaj:

“Është për keqardhje kur dëgjon se një projekt gjigant infrastrukturor që është në fazën e finalizimit, po pengohet. Autostrada “Arbën Xhaferi” që përveç lehtësimit të qarkullimit të qytetarëve, ka ndikim pozitiv edhe në ekonominë e vendit, nuk guxon të përballet me të tilla ndalesa të organizuara për qëllime personale. Prandaj, Hani i Elezit duhet t’i gëzohet realizimit të këtij projekti, për të mirën e vendit”, ka thënë i pari i MI-së, shkruan Indeksonline.

Ndryshe, mbrëmë gjatë natës kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma, së bashku me drejtorin e Shërbimeve Publike, Refet Kalisi, kanë ndërprerë punimet e kompanisë Bechtel-Enka.

Kjo ka ndodhë për shkak se punimet po zhvilloheshin në orët e vona dhe kjo sipas tyre po i pengon banorët të zhvillojnë jetë normale nga zhurma e krijuar.

“Kryetari i kësaj komune Rufki Suma, pas disa paralajmërimeve dhe kërkesave drejtuar kompanisë Bechtel-Enka për riparimin e dëmeve, rihapjen e rrugëve të mbyllura, ndotjen dhe degradimin e ambientit, me dt. 11.10.2018 ju drejtua me një letër Drejtorit gjeneral të kompanisë Bechtel-Enka, z.Riadh Alkhazraji të cilin e njoftoi me vendimin për ndërprerjen e bashkëpunimit të mëtutjeshëm dhe për riparimin e dëmeve të shkaktuara”, thuhej në sqarimin e komunës të cilën e udhëheqë Suma.