.
×

Osmani: Ekipi që unë drejtoj e ka vendosur Kosovën para vetvetes



Gjatë një takimi me banorët e Zhurit, kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë të shtunën se ekipi që ajo drejton është profesional dhe me duar të pastra, të cilët e kanë vendosur Kosovën para vetvetes.

“Nuk ka ndonjë rast në histori që ndonjë person i vetëm mund të bëjë ndryshime të mëdha. Unë kam ekip profesional dhe me duar të pastra. Kam një ekip të jashtëzakonshëm me ekonomistët më të mirë të vendit, të cilët e kanë hartuar një program për zhvillim dhe punësim të të rinjve tanë. Kam në ekip njerëz të jashtëzakonshëm në fushën e drejtësisë, të cilët janë të pakompromis ndaj krimit dhe korrupsionit. Kemi në ekip doktor më të mirë në Kosovë dhe rajon. Kemi të gjitha profilet e shoqërisë. E përbashkëta e të gjithëve është përkushtimi për të ardhmen e rinisë, shoqërisë dhe shtetit në përgjithësi”, tha Osmani.

Duke folur për shtyllën e dytë të Programit – Familja, Osmani pohoi se synimi ynë është që të krijojmë kushte për një familje të shëndoshë, të edukuar mirë, e që jetën e përballon lehtë financiarisht.

“Secilin vit në Kosovë, lindin rreth 20 mijë foshnje. Plani ynë është që nënave dhe foshnjave në vitin e parë, t’ua bëjmë përballjen financiare shumë më të lehtë”, tha kandidatja për kryeministre dhe nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani.