.
×

Mustafa: Të intensifikohet bashkëpunimi me Maqedoninë në fushën e ekonomisë



Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur sot në një takim zëvendëskryeministrin e Maqedonisë, Musa Xhaferi, me të cilin ka biseduar lidhur me prioritetet e bashkëpunimit në mes të dy vendeve.

 “U pajtuam se kemi shumë fusha në të cilat duhet të intensifikojmë bashkëpunimin, siç është ajo e ekonomisë, arsimit, kulturës, ndërtimit dhe infrastrukturore, por edhe në çështjet globale në të cilat sot janë bërë shumë aktuale, edhe për Kosovën, edhe për Maqedoninë, edhe për vendet tjera fqinje. Treguam interes të përbashkët për komunikim më të shpeshtë dhe më të shpejtë, dhe të ndërlidhjeve, qoftë në nivel të ministrive, qoftë në nivel të Qeverive, në mënyrë që ne të përballojmë të gjitha çështjet që i konsiderojmë se janë në interes të përbashkët të dy vendeve, por edhe në interes të regjionit dhe interes evropian”, ka thënë kryeministri Mustafa, në një prononcim për media, pas takimit.

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi ka falënderuar kryeministrin Mustafa për mbështetjen e projekteve që kanë qenë në vazhdimësi të bashkëpunimit mes dy vendeve.

 “Ne e përgëzojmë Qeverinë e Kosovës për punimet në autostradën Prishtinë-Shkup, dhe besojmë që edhe ne do të bëjmë përpjekje të ndërtojmë aksin nga Bllaca deri në qarkoren e Shkupit. Kjo do të ndikoj në një qarkullim ekonomik, qarkullimin e qytetarëve. Kemi diskutuar deri tek gatishmëria e dyanshme për mbledhjet e përbashkëta të qeverive, të cilat do të intensifikojnë, inkurajojnë, ministritë përkatëse për ratifikimin, përgatitjen e marrëveshjeve që janë në favor të dy qeverive”, ka potencuar zëvendëskryeministri Xhaferi.

Po ashtu, gjatë këtij takimi është potencuar edhe mundësia e mbajtjes së mbledhjeve të përbashkëta në mes të qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë, por edhe për bashkëpunimin në të gjitha fushat që janë në interes për të dy vendet.