.
×

Matoshi paralajmëron aksione për konfiskimin e thëngjillit në Prishtinë



Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi gjatë raportimit të tij për gjendjen mjedisit në Kosovë për vitin 2017 në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis ka thënë se ditëve në vijim do të bëhen aksione për konfiskimin e thëngjillit në rrugët e Prishtinës.

“Jemi në përgatitje dhe në plan të aksioneve të njëpasnjëshme për konfiskimin e thëngjillit kudo nëpër rrugët e Prishtinës. Ka pengesa në punë për shkak të mos përgjigjes në kohë nga ana e Policisë nga Inspektorati e që e dëshmon kërkesën tonë për një polici mjedisore, megjithatë jemi duke u koordinuar, do të kemi aksione për të konfiskuar thëngjill në komunën e Prishtinës”, ka deklaruar Matoshi.

Prezantimin e raportit të vitit 2017 e ka bërë kryeshefi i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit në këtë ministri, Ilir Morina.

Ai ka thënë se më shqetësuese për këtë ministri është sektori i ndotjes së ajrit.

“Nëse ndalemi për secilin sektor, sektori i ajrit është më shqetësuesi në sezon të dimrit, ku fillon të përkeqësohet në shtator deri në shkurt dhe kemi nxjerrë raport për vitin 2017. Ne kemi bërë monitorimin e 12 stacioneve në cilësinë e ajrit: 3 pika në Obiliq, një në Mitrovicë, Drenas Pejë dhe në Gjilan”, tha Morina.

Ai po ashtu ka thënë se pas Prishtinës, qyteti më i ndotur është Gjilani.

“Gjilani ka tejkalim shumë të madh mbi mesataren e lejuar, ku në vitin 2017 në dy stacione janë gjetur se 41 ditë ka pasur tejkalime gjatë periudhës dimërore”, tha Morina duke shtuar se me ligj lejohen 35 ditë.