.
×

Marrëzitë e Rexhep Qosjes, krahason Policinë e Kosovës me atë të kohës së Rankoviqit



Të krahasosh investigimet e sotme të Policisë së Kosovës rreth grupeve të dyshimta që derdhin në Kosovë financat e rrjeteve terroriste, me persekutimet e shqiptarëve nga policia sekrete e Rankoviqit është njëkohësisht huqje intelektuale dhe pandershmëri morale. Është marrëzi. Pikërisht këtë po e bën akademiku Rexhep Qosja. Profesori i filozofisë, Blerim Latifi, flet për Express.

Pyetje: Po e nisim këtë intervistë me një pyetje mbi deklaratat e fundit të akademikut Rexhep Qosja mbi arrestimet e fundit të imamëve në Kosovë. Në një gazetë të Tiranës ai dha disa opinione kategorike kundër këtyre arrestimeve, duke iu dalë në mbrojtje këtyre imamëve të dyshuar për bashkëpunim me organizata që kanë lidhje me rrjetet dhe grupet terroriste. Cili është mendimi juaj?

B. Latifi: I kam lexuar këto opinione dhe ajo që më ka lënë përshtypje mes tjerash është paqartësia në operimin me konceptet që përdor Qosja, gjë që nuk i falet një akademiku që gjithë jetën e ka kaluar në botën e teksteve të dijeve humane. Paqartësia themelore është se Qosja ngatërron konceptin e deliktit verbal të kodit penal të ish Jugosllavisë komuniste me konceptin e kushtetutave liberale për kufizimet e lirisë së shprehjes. Konceptin e deliktit verbal e kanë shpikur regjimet komuniste për të mbrojtur ideologjinë dhe pushtetin e tyre nga mendimi kritik, ndërsa koncepti liberal i kufizimeve të lirisë së shprehjes përshkruan situatën kur liria e shprehjes nuk guxon të shndërrohet në liri abuzive, sidomos në rastet kur brenda shoqërive plurale përdoret për të nxitur urrejtje dhe mosdurim mes grupeve sociale. Kjo vjen nga fakti se vendet me kushtetutë liberale tanimë e dinë faktin se vlerat e tyre rrezikojnë të përdoren si instrumente nga grupe që promovojnë ideologji anti-liberale dhe anti-demokratike. Gjë që është duke ndodhur tek ne sot nga shumë imamë të cilët abuzojnë me lirinë e shprehjes për të përhapur në Kosovë doktrinat salafiste, të cilat në thelbin e tyre janë totalitare dhe mosduruese ndaj botëkuptimeve dhe religjioneve të tjera. Unë konsideroj se problem i Qosjes me këtë paqartësi koncepuale ka dy shkaqe kryesore. Shkaku i parë është teorik. Nga një numër tekstesh të Qosjes që kam lexuar, kam parë një deficit serioz të kulturës filozofike në këto tekste, njohuri sipërfaqësore të filozofisë politike dhe terminologjisë filozofike në përgjithësi. Kjo është fatale. Ashtu si në matematikë që e huq fare po nuk dite të operosh me raportet e numrave, edhe në filozofi, po nuk dite të operosh kujdesshëm me konceptet, bie në lajthitje komplete. Është një fakt i njohur se kritikët e mirë letrarë karrierën e tyre e përfundojnë si mendimtarë e filozofë, por tek Qosja ku proces intelektual ka dështuar. Qosja ka dështuar të bëhet mendimtar.

Pyetje: Cili është shkaku i dytë?

B. Latifi: E kam thënë edhe njëherë tjetër: Qosja vazhdon ta bindë veten se ka hesape për të qëruar me dy njerëz, Ibrahim Rugovën dhe Ismail Kadarenë. Me të parin e lidh mosdurimi politik dhe me të dytin zilia e famës mes shkrimtarësh. Megjithë defektet e tij politike, Rugova ka një vend të rëndësishëm në historinë politike të Kosovës dhe Qosja si duket nuk po gjen qetësi pa e thyer ikonën e tij, ndërsa inati me Kadarenë vjen nga një fakt i thjeshtë: derisa Kadareja sot gëzon famën e një shkrimtari botëror, Qosja përgjithësisht gëzon famën e një shkrimtari lokal. Dhe meqë të dy armiqtë e tij privat kanë pasur qëndrime jo fort të pëlqyeshme për islamin, Rugova me prokatolicizmin e tij kulturor e deri diku edhe politik, dhe Kadareja me anti-osmanizmin e tij konsekuent, Qosjes i mbetet të dalë në anën e kundërt, të bëhet proislamik dhe pro-osman. Dhe Qosja është duke e bërë një gjë të tillë. Nuk është çudi që një ditë të dalë të bëjë apologjinë e salafizmit politik në Kosovë. Inatet janë këshilltarë të këqij të njeriut: gjithmonë e shpijnë në rrugë të gabuara. E të tilla janë analogjitë e Qosjes. Të krahasosh investigimet e sotme të Policisë së Kosovës rreth grupeve të dyshimta që derdhin në Kosovë financat e rrjeteve terroriste, të dokumentuara nga agjencitë perëndimore te zbulimit, me persekutimet e shqiptarëve nga policia sekrete e Rankoviqit është njëkohësisht huqje intelektuale dhe pandershmëri morale. Është marrëzi.Qosja i akuzon institucionet kosovare se po përdorin deliktin verbal në hetimet e tyre, e nuk e sheh faktin se janë pikërisht salafistët, të cilët ai po i merr në mbrojtje, ata që sot operojnë gjithandej me deliktin verbal: ata ta garantojnë ferrin në botën tjetër, e pse jo edhe ferrin në këtë botë, siç po bën ISIS, nëse merr guximin të flasësh në mënyrë kritike për dogmat e tyre dhe shkrimet e tyre fetare, ose nëse nuk beson në mënyrën si besojnë ata.

Pyetje: Z.Latifi ju po e përdorni shumë këtë termin “salafizëm”. Lexuesit do të mund të pyesin se ku qëndron thelbi i tij?

B. Latifi: Salafizmi është interpretimi fundamentalist i islamit. Fjala “salaf” iu referohet paraardhësve, që në islam do të thotë gjeneratave të para të islamit, myslimanëve të parë. Salafistët konsiderojnë se islami autentik, islami i vërtetë është ai i cili është praktikuar nga tri gjeneratat e para të islamit, që janë gjeneratat e kalifëve të parë pas profetit Muhamet dhe në këtë kontekst, sipas tyre, të jesh mysliman i vërtetë, autentik, do të thotë të sillesh si ata, të lutesh dhe adhurosh si ata, e madje edhe të vrasësh si ata, p.sh. me heqje kokash. Pikërisht këtë po e bën sot ISIS-i. Kalifati i tij është imitim fanatik i tyre.

Pyetje: Cila është ideologjia e këtij Kalifati?

B. Latifi: Është ideologjia e salafizmi literal politik. Tiparet e tij janë pak a shumë këto: ky salafizëm është anti-modern, ngase procesin e modernitetit e sheh si proces degjenerimi dhe largimi nga jeta ideale e salafëve; është anti-perëndimor, ngase perëndimi shikohet se shkaktari kryesor i këtij degjenerimi; është anti-demokratik, ngase për të sovran është Zoti dhe jo populli;është reaksionar ngase synon të kthejë historinë e njerëzimit pas, në një moment të largët të rrjedhës kohore të saj; është intolerant, ngase duke insistuar mbi vlefshmërinë absolute të islamit fillestar, të gjitha format tjera të besimit dhe adhurimit i konsideron të gabueshme dhe të palejueshme; gjithashtu është maniheist, në kuptimin se e ndan botën në të mirë dhe të këqij dhe universalist, ngase pretendon se duke poseduar të vërtetën absolute dhe përfundimtare mbi botën dhe jetën njerëzore janë të obliguar edhe ta përhapin atë në të gjithë njerëzimin, qoftë edhe përmes përdorimit të forcës. Është e qartë se lëvizje të tilla si ISIS janë përfaqësuesit më besnik të salafizmit literal politik. Kur bota habitet me gjakftohtësinë e tyre në masakrat që i bëjnë nuk e ka parasysh faktin se kjo gjakftohtësi është në thelbin e saj gjakftohtësia e dhunës në botën e vjetër, ku dhuna është praktikë e përditshme dhe normale. T’i pritet koka një njeriu në kohën e Kalifit Omar ka qenë një gjë krejtësisht e rëndomtë. Madje kjo rëndomësi ekziston deri në ditët e ekzekutimeve publike me prerje koke nga Jakobinët në Francën revolucionare të vitit 1793.

Pyetje: A mund të konsiderojmë luftën e terroristëve të ISIS-it si xhihad?

B. Latifi: Konsideroj se po. Ka disa kritere të cilat e përcaktojnë konceptin e xhihadit apo luftës së shenjtë. Lufta e ISIS-it i përmbush disa prej tyre. Xhihadi apo lufta e shenjtë është atëherë kur zhvillohet me qëllim që të vendoset një rend social e politik që bazohet mbi një kod apo tekst hyjnor, që në rastin konkret është vendosja me dhunë e një rendi social të bazuar në tërësi mbi sheriatin që mendohet se shpreh vullnetin e Zotit. Kemi situatë të xhihadit edhe në ato raste kur dhuna përdoret kundër atyre që mendohet se kanë devijuar nga besimet dhe dogmat e drejta të islamit dhe qëllimi i xhihadit në këtë rast është të rivendoset sundimi i këtyre dogmave. Sot luftëtarëve të ISIS shpeshherë u referohen si takfiristë, do të thotë luftëtarë që luftojnë kundër atyre që kanë devijuar nga islami i vërtetë, që në rastin konkret si të tillë akuzohen shiitët dhe kurdët. Duhet thënë se këta të fundit përbëjnë të vetmen anë të ndritshmenë këtë luftë të ndyrë që po zhvillohet në Siri dhe Irak?

Pyetje: Në cilin kuptim?

B. Latifi: Kurdët janë një prej popujve më fatkeq në histori. Me një popullatë prej shumë milionësh ata janë të shpërndarë në disa shtete të cilat i diskriminojnë dhe shkaku i këtyre shteteve nuk kanë arritur të ndërtojnë një shtet-komb të tyre. Një popull me kulturë të lashtë, me një kulturë të moderuar të praktikimit të religjionit, ata sot përballen në një luftë për jetë a vdekje me xhihadin gjenocidal të ISIS-it. Përjashto SHBA-të, bota sot rri dhe sheh me duar në xhepa këtë tragjedi, njësoj sikur Srebrenicën dikur. E di që është joreale, por ata djem kosovarë që për turp sot luftojnë në brigadat e ISIS-it po të ndjenin veten vetëm pak shqiptar do të dilnin në anën e kurdëve, sepse të ndihesh shqiptar do të thotë të solidarizohesh me vuajtjet e popullit kurd, vuajtje që janë të ngjashme me vuajtjet tona në histori.