.
×

Mark Esper zgjedhet Sekretar i Mbrojtjes i SHBA’së



Senati amerikan votoi me shumicë dërmuese pro emërimit të Mark T. Esper si Sekretar i Mbrojtjes i SHBA-së Konfirmimi i Esper i jep fund një boshllëku prej disa muajsh të krijuar që kur Jim Mattis dha dorëheqje vitin e kaluar, pas mosmarrëveshjeve lidhur me politikat e Presidentit Donald Trump.

Votimi reflektoi mbështetjen e gjerë dypartiake për Esper – i cili ka kaluar shumicën e karrierës së tij në ushtri dhe në qeveri – në një kohë kur vendi po ballafaqohet me kërcënime të ndryshme të sigurisë kombëtare dhe po konsideron ndërmarrjen e masave ushtarake ndaj Iranit.

Shumë prej tyre gjithashtu e shohin konfirmimin e Esper-it si një hap të rëndësishëm drejt rikthimit të autoritetit në Pentagon që është gjithnjë e më shumë në kundërshtim me rrethin e brendshëm të Trump-it dhe të këshilltarëve të Shtëpisë së Bardhë.

Esper, 55 vjeçar, ka shërbyer si Sekretar i Ushtrisë që nga fundi i vitit 2017, më parë ka punuar në Capitol Hill në cilësinë e zyrtarit të lartë republikan, si dhe ka mbajtur pozita të larta në Pentagon dhe në Fondacionin Konservator të Trashëgimisë.

Ai gjithashtu shërbeu për më shumë se një dekadë në ushtri.