.
×

Lama: S’është rastësi që u shkarkova dy javë pas takimit sekret Thaçi-Vuçiq në Romë



Botapress, 17 Korrik  – Ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, ka vlerësuar se u shkarkua nga posti që mbante vetëm dy javë pas takimi të raportuar mes presidentit të vendit, Hashim Thaçi, dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq, në kryeqendrën italiane. “Largimi im ka ardhur si rrufeja në qiell të hapur”, është shprehur fillimisht ajo. “Shkarkimi im ka ndodhur, siç e mora vesh më pas, pas disa takimeve, një takimi më saktë, të presidentit Thaçi, në Romë, një takim sekret me presidentin e Serbisë”, ka deklaruar Lama në emisionin “DPT Te Fidani”, në televizionin T7. Për takimin, ajo ka thënë se ka “marrë vesh nga mediat”. E pyetur se pse e lidh shkarkimin e saj me këtë takim, ajo ka lënë të kuptohet se i ka penguar Thaçit në Itali. “Sepse ndoshta më ka konsideruar… Duke u ruajtur si duket nga unë, e zbuluan shërbimet sekrete”, ka deklaruar ajo. Sipas Lamës, “nuk është rastësi, që vetëm dy javë pas takimit të përfolur, ka ndodhur shkarkimi”. “Takimi është bërë publik nga ish-ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, aty u mor vesh”, ka thënë ajo. “Unë natyrisht e kam marrë vesh në bazë të informatave. Ka qenë në Romë”, është shprehur Lama. “Unë nuk jam agjente e shërbimeve sekrete që ta kem fotografuar”, ka deklaruar ajo. “Zotëri president Thaçi ka qenë në Romë dhe u dëshmua”, ka thënë Lama në T7.