.
×

Kurtit s’i bëhet vonë kur arrihet marrëveshja: Mësohet çfarë i tha Grenellit



Lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes mësohet se në takim me emisarin e dërguar nga Donald Trump, Richard Grenell, i ka thënë këtij të fundit se përmbajtja e marrëveshjes, është më e rëndësishme se afati kohor për arritjen e saj.

Kështu bëri të ditur Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi për media, ku ndër të tjera thuhet se Grenell ka theksuar se mungesa e marrëveshjes Kosovë-Serbi, është pengesa kryesore në ekonominë kosovare.

“Ambasadori Grenell fillimisht uroi udhëheqësit e Vetëvendosje për vendin e parë në zgjedhjet parlamentare të së dieles së 6 tetorit dhe dëshironte të dëgjonte mendimin e qëndrimin e tyre për mundësitë e një marrëveshje me Serbinë, para se ai të udhëtonte për Beograd. Z. Grenell theksoi që mungesa e marrëveshjes së Kosovës me Serbinë është pengesa kryesore e investimeve të huaja në ekonominë kosovare”, thuhet në njoftimin e VV’së.

Ndërkohë, thuhet tutje në njoftim, Kurti i ka thënë Grenellit se ‘përmbajtja e marrëveshjes është më e rëndësishme se afati kohor për arritjen e saj’.

“Kurti shprehu falënderimin e tij për rolin dhe mbështetjen e ShBA-ve për Kosovën si në luftë ashtu në paqe dhe gatishmërinë e tij që si kryeministër i ri i Kosovës të thellojë bashkëpunimin me ShBA-të. Ai u pajtua me Ambasadorin Grenell që Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik dhe investime prej jashtë, por për këtë gjë problem janë sidomos korrupsioni i lartë në qeveri që krijon pasiguri e cila tremb bizneset, varfëria e përhapur në popullsi që e mban të ulët kërkesën agregate si dhe qasja e vështirë në financa për bizneset për shkak të kamatave të larta të kredive në banka. Sa i përket dialogut me Serbinë, z. Kurti tha që përmbajtja dhe procesi i marrëveshjes janë më të rëndësishme për qëndrueshmërinë e saj sesa afati kohor për të. Në fund të këtij takimi të hapur e konstruktiv, bashkëbiseduesit u pajtuan që sa më shpejtë të krijohet qeveria e re në Kosovë dhe se do të vazhdojnë komunikimin e shpeshtë e të rregullt”, thuhet në njoftim.