.
×

Kurti: Në qeverisjen tonë do të ketë 30 për qind përfshirje të grave



Menjëherë pas takimit mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për media kanë folur Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, ku kanë konfirmuar se koalicioni në mes dy partive do të ndodhë.

Me ç’rast Kurti ka thënë se në qeverisjen e tyre do të ketë 30 për qind përfshirje të grave.

“Jemi dakorduar të kemi një dysheme prej 30 për qind të përfaqësimit gjinor ku do të jenë 30 për qind gra edhe në mesin e ministreve dhe zëvendës ministreve. Do të kemi shumë më pak ministri dhe zëvendës ministra. Pra do të kemi më shumë angazhim dhe punë. Ekipet tona do të takohen për të harmonizuar programet tona dhe të dakordohen për programet tona”, ka thënë ai.

Kurti përpara mediave tha se janë dakorduar që të kenë qeverisje të përbashkët me LDK’në.

“Jemi pajtuar me LDK’në që do të qeverisim bashkë. Ne e kemi uruar njëri tjetrin për gjithçka dhe do të qeverisim bashkë”, ka thënë Kurti.

Sa i përket pozitave dhe ministrive, edhe Kurti edhe Osmani thanë që do të presin çertifikimin e rezultateve për të shikuar se kush do të jetë pjesë e qeverisë.