.
×

Krasniqi: E po ku mbetëm?



Reagim ndaj deklarimeve politike të Beogradit për Trepçën

 

Nga Jakup Krasniqi

 

E po ku mbetem? Nuk është kjo shprehje vetëm për shqetësim, në rastin tonë është më shumë se shqetësim, është alarm për disa zhvillime që kanë ndodhur në Kosovë dhe priten që të ndodhin pas bisedimeve serbo-shqiptare me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel. Trepça po del të jetë një problem tejet serioz, ku do të thehen shumë shtiza!

Ditëve të fundit, nuk ka asnjë dyshim se: nga Beogradi dhe përfaqësuesit e “Listës serbe” në institucionet e Kosovës, ka një super angazhim e organizim jo vetëm për të penguar funksionimin e institucioneve të shtetit të Kosovës, por edhe për të ndërhyrë në mënyrën më flagrante në pasurit e saja natyrore, sikur Kosova i paska borxhe Serbisë dhe jo e kundërta. Vërtet, kush e amnistoj Serbinë nga borxhet e shumta që ia ka Kosovës?!!!

Vizita e Vuciqit, prapa la tym e mjegull. Deklarimi i Jabllanoviqit ka hasur në reagime të shumta. Tani dhe Drejtori serb për Kosovën në qeverinë e Serbisë, deklaroi: “Me një fjalë nuk do të lejojmë Prishtinën që të na vjedh Trepçën”, ka thënë sot, Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë. Shikoni e dëgjoni gjuhen e zyrtarit serb për Kosovën?! Këta pinjollë të politikes tradicionale të gjenocidit serb të kryera në Kosovë për gati 100 vjet, jo vetëm që nuk janë të gatshëm ta pranojnë gjenocidin e kryer e të kërkojnë falje për atë, as ta pranojnë plaçkitjet e kryera në ekonominë e Kosovës e prapambeturin e mbjellë në Kosovë për dekada, por edhe guxojnë ta kërkojnë pasurinë kombëtare te Kosovës pas ati holokausti të tmerrshëm?! Pa dyshim, burimin e kësaj trimërie neomillosheviqiane duhet ta kërkojmë te bisedimet ne Bruksel! Të gjitha faktet po flasin se pala shqiptare në ato bisedime ishte inferiore, e papërgatitur dhe e qulltë. Ndoshta më mirë se kjo është duke folur heshtja e tyre. Porosia jonë duhet të jetë e qartë: Me Trepçën nuk lejojmë të luaj askush. Boll është luajtur me pasurinë e Kosovës, gjatë këtyre 15/16 viteve nga qyqarëllëku ynë. Pasuria e Trepçës është tepër e qartë. Ndërsa Serbia ketë lojë e ka luajtur për gati 100 vjet.

Të gjitha veprimet e zyrtarëve te lartë serb, haptas janë antishqiptare dhe po tregojnë fillimin e neomilloshevizmit në politikën serbe. “Tupani rreh për atë që ka vesh”, thotë populli. Pra asnjë deklarim dhe veprim i njerëzve te Beogradit, nuk janë duke e dhënë asnjë sinjal, e ma asnjë sinjal të vullnetit të mirë për normalizimin e marrëdhënieve me shqiptarët dhe Kosovën. Ndonëse, gjatë viteve 2012, 2013 e 2014, zyrtarët e Lartë të Republikës së Kosovës, që morën pjesë në bisedimet me ndërmjetësimin e Brukseli, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës deklaronin: “Serbia tani më e ka njohur pavarësinë e Kosovës”. Zyrtarët e lartë të Kosovës pa fije turpi, flisnin në emër të zyrtarëve të Beogradit, pa qenë të autorizuar nga askush?!!! Këtyre deklarimeve ju besoj edhe kreu i tashëm i koalicionit qeverisës, tani Kryeministër i Kosovës, atëherë ishte në opozitë, kur i votuan Marrëveshjet me Serbinë ( të 19 prillit 2013) të arritura në Bruksel, pa asnjë kundërshtim.

Nga ato bisedime e marrëveshje, as sot e kësaj dite, nuk e dimë se çka është biseduar e ma pak dimë për marrëveshjet e arritura. Si sot edhe atëherë kur kanë filluar bisedimet, sidomos bisedimet politike  te udhëhequra nga Kryeministri- Thaçi, kam qenë i bindur se pala e jonë ishte e pa përgatitur për bisedime. Pak kush ishte kundër bisedimet, por ngutja për të biseduar, as atëherë e as sot nuk mund të arsyetohet. Para se të fillonin bisedimet politike me ndërmjetësimin e Brukselit, kjo çështje është biseduar në një mbledhje te Kryesisë së Partisë Demokratike. Ajo ishte njëra nga mbledhjet e fundit ku merrja pjesë edhe unë si Sekretar i Përgjithshëm i saj. Arsyeshmërinë për fillimin e bisedimeve e dha Kryetari i partisë, i cili veç të tjerave tha se: “për këto bisedime e kemi mbështetjen e Uashingtonit dhe të Brukselit….”?! Ai kishte kohë që ketë refren e kishte mësuar përmendsh dhe e përdorte sa herë që dëshironte të merrte mendimin e të tjerëve me lehtësi. Ishte bërë zakon nga shumica e kryesisë së partisë, që sa herë te përmendej ai refren, mbyllej debati. Në atë mbledhje kishte një debat, i thënçin debat, por shumica e atyre që u inkuadruan në debat, flisnin si ia donte qejfi shefit. Në një atmosferë të tillë “uniteti” të rrallë ishte vështire të merrej fjala, por me gjithatë vendosa t’i them disa fjalë. As unë nuk isha kundër bisedimeve në parim, por isha që bisedimet të ishin të përgatitura dhe se ne, pala e jonë ishim të pa përgatitur dhe se nuk duhej të ngutemi për bisedime pa u përgatitur mirë. Arsyeja ishte se kishte shumë të pa njohura. Dhe se bisedimet do të shkonin përtej Dokumentit të Ahtisarit. Nuk u pajtova me pjesën dërmuese te atyre që morën pjesë ne diskutime pasi nuk ishin “as mish e as peshk”.  Në mes të tjerave u thash, që unë po habitesha me entuziazmin e tyre për të biseduar aq lehtësisht. Ndonjërit edhe nuk i pëlqej fjala ime për entuziazmin e tyre. Po besoj që të gjithë atyre ju kujtohej atmosfera sesi u bisedua për një çështje nder më të rëndësishme të kohës.

Tani nuk e di se çfarë mendimesh kanë shumica e atyre që morën pjesë në diskutimin e përmendur për ato bisedime, pasi asnjëherë deri me sot nuk kam dëgjuar ndonjë mendim tjetër për t’u mbajtur  mend, nga asnjëri nga ata që ia bënë aminin disponimit te kryetarit! Se paku unë nuk mbaj mend që te kenë thënë diçka me vlerë! Nuk di as tani sesi i komentojnë zhvillimet e fundit! Pasi as për këto nuk kanë thëne ndonjë gjë këtyre dite! Ndërsa një pjesë e madhe e tyre janë makineri votimi. Ata si duket nuk kanë nevojë te mendojnë, kryetari mendon edhe për ta.

Deklarimet se për ketë e atë çështje e “kemi mbështetjen e Uashingtonit e të Brukselit”, thuhej për ta mbyllur debatin dhe lehtësisht për të kaluar çdo propozim te kryetarit të partisë. Nuk besoj që edhe në sistemin e kaluar socialist, një organ politik i atij niveli do ta kalonte me lehtësi një problem te tillë kardinal për vendin! Madje ketë nuk do ta bënte as KK i LKK-së! Edhe sot si atëherë e kam kuptuar se duhet mbështetja e Uashingtonit dhe e Brukselit, por asnjëri dhe as tjetri Kryeqytet, nuk besoj të kanë imponuar ndonjë marrëveshje që do të dëmtonte interesin tonë. Sigurisht që, as Brukseli e as Uashingtoni, nuk do të ishin kundër asnjërës palë, madje nuk do të ishin kundër, edhe nëse palët do të vendosnin të bashkëjetojnë ne një federatë apo konfederatë të përbashkët! Ata ishin ndërmjetësues dhe garantues të marrëveshjeve që do të arriheshin. Edhe njërit edhe tjetrit Kryeqytet do t’ju mjaftonte marrëveshja e dy palëve, as më shumë e as më pak. Atyre u intereson siguria e stabiliteti në rajon. Interesat tona kombëtare shkojnë përtej sigurisë e stabilitetit politik. Neve kemi nevoj për një zhvillim ekonomik dinamik që garanton prosperitet e jetë të dinjitetshme për qytetarët e Republikës së Koosvës.

Te gjitha shenjat e dukshme po tregojnë se bisedimet ishin te pa përgatitura dhe marrëveshjet më shumë se të dëmshme për Kosovën. Do te dëshiroja të gaboja, që të ishte e kundërta e kësaj që po e them?!