.
×

Kosova shpenzon 100 mijë euro në vit për ndërmarrjen që nuk ka asnjë funksion



Botapress 23 Maj- Instituti GAP ka publikuar një hulumtim të bërë rreth Termocentralit Kosova e Re. Në këtë hulumtim bëhet e ditur se taksapaguesit kosovarë paguajnë rreth 100 mijë euro në vit vetëm për pagat e stafit të Kompanisë së Re Elektrike të Kosovës, ndërmarrje kjo e cila nuk ka kurrfarë funksioni para ndërtimit të TC Kosova e Re.

Sipas institutit GAP, kjo ndërmarrje ka pesë Anëtarë të Bordit dhe një Kryeshef Ekzekutiv. Gjatë këtij viti pritet që të punësohet edhe një Sekretar i Ndërmarrjes dhe një Zyrtar Kryesor Financiar dhe i Thesarit.

Sipas këtij hulumtimi, shuma prej 100 mijë eurove të shpenzuara janë vetëm për pagat e stafit të kësaj ndërmarrje pa llogaritur mëditjet dhe shpenzimet tjera.

“Për 4 vite, që është koha deri kur proklamohet se do të përfundojë ndërtimi i TC Kosova e Re, taksapaguesit kosovarë do të paguajnë rreth 400 mijë euro vetëm për stafin e NKEC.

Krijimi i shpenzimeve në një kohë kur garancia për projektin është e domosdoshme të votohet në Kuvendin e Kosovës përbën, ndër të tjera, edhe shpërfillje të autoritetit të Kuvendit” thuhet në këtë publikim.