.
×

Kosova nuk e di se sa banorë të Shqipërisë kanë ardhur për strehim



Me mijëra qytetarë të zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, po vazhdojnë të vijnë në Kosovë për strehim përmes pikës kufitare në Morinë.Qytetarët e Kosovës po solidarizohen me vëllezërit e tyre, duke u hapur dyert banorëve të Durrësit e Thumanës, vende këto të cilat u prekën më së shumti nga një tërmet që tronditi të gjithë shqiptarët.Pavarësisht kësaj, shteti kosovar nuk ka shifra të sakta se sa banorë që nga dita e martë, kanë ardhur për strehim në Kosovë.

KosovaPress ka kontaktuar me Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë, të cilët thonë se nuk kanë shifra të sakta. Të njëjtit gjatë ditës në një njoftim me shkrim u kanë bërë thirrje komunave, policisë e organizatave për evidentimin e të gjithë shtetasve shqiptarë, të akomoduar në Kosovë.“Pas analizimit të situatës dhe të koordinuar me komunat dhe me Policinë e Kosovës, lind nevoja e evidentimit të të gjithë shtetasve shqiptarë, të akomoduar në RKS. Regjistrimi i shtetasve të ardhur nga Shqipëria do të ndikojë në menaxhimin dhe lehtësimin e situatës së krijuar, si dhe në asistimin dhe sigurinë e bizneseve/ shoqatave/organizatave dhe familjeve të cilat kanë hapur dyert.”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë.Derisa Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, i bën thirrje Policisë së Kosovës për evidentimin e shtetasve shqiptarë, kjo e fundit nuk i ka të ndara, arsyet apo motivin e  ardhjes të personave që kalojnë kufirin.

“Në vijim keni informacionet e kërkuara të hyrje daljeve, të të gjitha mjeteve dhe personave në komplet rajonin kufitar perëndimi, ku përfshihen pikat kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë për datat 29 dhe 30 nëntor, si dhe 01 dhjetor. Regjistrimi i daljeve dhe hyrjeve bëhet për të gjithë personat dhe nuk bëjmë ndarje sipas arsyes apo motivit të ardhjes në Republikën e Kosovës. Më 26 nëntor janë kontrolluar në hyrje të këtyre pikave 6292 persona. Me datën 27 nëntor 7112 persona të kontrolluar. Me datën 28 nëntor 13505 persona të kontolluar, me 29 nëntor 9208 persona, data 30 nëntor 7196 persona dhe gjatë ditës së djeshme 6725 hyrje të kontrolluara”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.Në këtë raport nuk specifikohet se sa nga ta janë banorë të Shqipërisë të cilët kanë ardhur për strehim në Kosovë.

“Regjistrimi i daljeve dhe hyrjeve bëhet për të gjithë personat dhe nuk bëjmë ndarje sipas arsyes apo motivit të ardhjes në Republikën e Kosovës. Për çështje të strehimit, ju lutem i drejtoheni institucioneve kompetente”, thuhet në përgjigjen e PK .Në lidhje me këtë është kontaktuar edhe drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, Valon Krasniqi, por i njëjti ka thënë për KosovaPress, se nuk kanë shifra të sakta se sa banorë të Shqipërisë kanë gjetur strehim në Kosovë, pavarësisht që sipas tij, u kanë dhënë  përkrahje autoriteteve për akomodimin e tyre.Ndryshe, që prej mëngjesit të hershëm të së martës Shqipëria është goditur nga disa tërmete, ku njëri nga ta shkatërroi disa ndërtesa në Durrës dhe Thumanë, duke u marrë jetën me dhjetëra personave, e qindra të tjerë duke i lënë të lënduar.