.
×

Kombëtarja e Turqisë në Islandë i nënshtrohet kontrollit disa orësh



Me rastin e mbërritjes në Islandë për ndeshjen kualifikuese të kampionatit të ardhshëm evropian, lojtarët dhe stafi teknik i Kombëtares Turke në Futboll hasën në kontrolle të rrepta dhe disa orëshe të pasaportave, raporton Anadolu Agency (AA).

Turqia dhe Islanda nesër do të luajnë ndeshjen kualifikuese të grupit H, kurse skuadra turke mbrëmë me një fluturim të posaçëm nga Konja mbërriti në Keflavik.

Anëtarët e Kombëtares së Turqisë për shkak të kontrollit të detajuar të pasaportave u mbajtën në aeroport dy orë, kurse në mënyrë të detajuar janë kontrolluar edhe bagazhet e të gjithë lojtarëve.

Lojtarët Emre Belözoğlu dhe Burak Yılmaz kundërshtuan masat që u ishin nënshtruar. “Kjo është paturpësi. Tre orë kemi qëndruar aty. Të gjitha çantat i hapën dhe disa herë i kontrolluan. Fluturimi zgjati 6,5 orë dhe tani 3 orë po presim”, tha Yılmaz.

“Nuk dua asgjë të flas, ata le të japin shpjegim. Është për të ardhur keq, që kur ateruam po bëjnë kontrolle të panevojshme”, tha Belözoğlu.

Ndërsa Belözoğlu jepte deklaratën, një tifoz i Islandës u afrua dhe i dha një furçë tualeti, pas së cilës policia e ndaloi.

Kryediplomati turk, Mevlüt Çavuşoğlu, vlerësoi të papranueshme sjelljen e shërbimeve islandeze ndaj lojtarëve të kombëtares turke.

“Kjo nuk është në përputhje me normat diplomatike dhe ne do të ndërmarrim masat adekuate, askush të mos dyshojë në këtë”, ka thënë Çavuşoğlu.