.
×

KEDS’i lë në terr Bogën



Fshati turistik, Boga, tash e dy ditë ka mbetur pa rrymë. Ndërsa pushuesit dhe pronarët e bizneseve aty po ankohen për këtë çështje. Por nga KEDS’i thonë se janë duke punuar për sanimin e gjendjes. Viktor Buzhala, zëdhënës në KEDS i kanë thënë për Gazetën Express se ekipi përgjegjës ka dalë në terren dhe është duke e kërkuar vendin e prishjes.

Prej ditës së djeshme, në Bogë ka ndodhur një prishje e energjisë elektrike, si pasojë e kësaj, është ndërprerë rryma. E për këtë prishje, qytetarët dhe pronarët e bizneseve në Bogë, po thonë se është e qëllimshme, pasi që nuk është hera e parë që kjo ndodh gjatë fundjavës, në kohën kur ky vend është i vizituar më së shumti nga pushuesit.

 

Skënder Thaçi, pronar i një biznesi në Bogë, ka shkruar një postim në Facebook ku ka kritikuar Kryeministrin Haradinaj, Ministrin e Turizmit dhe Kryetarin e Komunës së Pejës, duke u thënë se ky rajon po vuan nga papërgjegjshmëria dhe pakujdesia e institucioneve të Kosovës, duke dëmtuar kështu bizneset dhe zhvillimin e turizmit në Rugovë.

 

“Zoti Kryeminstër Haradinaj, Zoti Ministër i Turizmit Hasani, Zoti Kryetar i Komunës së Pejës Muhaxheri! Boga ka dy dite pa rrymë çfar “koicidence” vikendeve ndodhin prishjet? Kështu “zhvillohet” Kosova ? Ky eëhtë kujdesi i institucioneve relavante për bizneset, vendi nuk zhvillohet kështu. Prishje thonë është e tmerrshme, ne po vuajmë prej vitesh nga papërgjegjshmeria dhe mos kujdesi i institucioneve të Kosovës duke i dëmtuar bizneset dhe zhvillimin e turizmit në Rugovë!

 

Tmerr dhe turp”, ka shkruar Thaçi.

 

Ndërsa Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS’it, ka thënë për Gazetën Express se ekipet kanë dalë në terren dhe janë duke e kërkuar vendin e prishjes, por pasi Boga është një vend malor, kjo e bën më të vështirë sanimin e menjëhershëm të prishjeve.

 

“Ka prishje nga dje. Ekipet kane dale menjëherë në terren dhe janë duke e kërkuar vendin e prishjes. Por, ju e dini që atje është një terren malor shumë i thepisur dhe sanimi i prishjeve shpesh herë është shumë i vështirë”, ka thënë Buzhala për Express./