.
×

Kastriot Shehdadi: Agim Mehmeti të përjetësohet në hero



NT/ Pasi propozimet vinë edhe nga organizata të ndryshme, qeveritare dhe joqeveritare, atëherë me siguri do ishte mirë që dikush nga ata të ipte propozimin me motivacion

Të dielën që e lamë, me datë dhjetë të këtij muaji, po të ishte gjallë Agim Mehmeti do të mbushte plot  gjashtëdhjetë e katër vite jetë. Por,  sëmundja e zemrës që ishte fatale për të, i ndërpreu jetën në tre gushtin e vitit 2015, në Zvicër, por u varros një ditë më pas në vendlindjen e tij, në Botushë të Gjakovës.

Ndonëse vdekja e tij konstatohet si e natyrshme, ndryshe ishte jeta në të gjallë të tij. Njohësit e tij nga afër kujtojnë se që si i ri ishte shquar me zgjuarësinë, inteligjencën dhe shkathtësitë e tija ushtarake që edhe ishin cytje për të që të vazhdonte shkollimin dhe të bëhej oficer ushtarak. Arsimimin, por edhe ndërtimin kombëtar e kishte bazë edhe nga familja e tij, ku nuk ka njeri asokohe që në Rekë të Keqe, por edhe më gjerë nuk e kanë njohur mësuesin Rrustem.

Arsimimi për familjen e tyre vazhdoi edhe tek vëllezërit dhe motrat. Mirëpo,  Agimit jo gjithçka dhe në çdo kohë i ka ecur mbarë në jetë të tij. Si oficer që veç arrihej të dëshmohej, dikë nga hierarkia ushtarake dhe politike e kohës e kishte penguar ajo e arrirë e një shqiptari dhe medoemos se me mënyrat e tyre kishin gjetur edhe mënyrën e ndëshkimit, ku si ushtarak, në vitet e tetëdhjeta ishte burgosur politikisht. Pas mbajtjes së burgut ushtarak, jeta e tij nuk ishte më e simëparshme. Peripetitë vazhdonin deri në braktisjen e saj në fillim të viteve të nëntëdhjeta. Menjëherë kishte kontakte dhe gjetur strehë në Lublanë, për të vazhduar më pas në Zvicër. Me ardhjen e kohës së organizimit rezistent dhe çlirimtar ushtarak.

Agim Mehmeti me karakterin e tij nuk kishte si të rrinte i heshtur dhe i mënjanuar, por aktivisht u morr me organizime dhe për rrjedhojë edhe u emërua zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, krah ministrit, kolonel Ahmet Krasniqi. Aktivitetet e tija konkrete përkushtuese kombëtare dhe ushtarake për dikë jo edhe aq të paktë në numër janë të njohura, por në veprën e tij dokumentuese “E vërteta për FARK-un”, tregon qartazi nismën, takimet, organizimet, mënyrën dhe përgaditjet ushtarake që bëheshin. Vepra dëshmon shumçka dhe po i’a lëmë asaj dhe personazheve që ende jetojnë. Por, çka do doja të shprehja si shënim në këtë ditëlindje të tij që sapo e kaluam dhe natyrisht se nuk kishim si ta uronim, pos ta kujtonim.

Me faktet e shumta biografike të tij, Agim Mehmeti meriton vend të posaçëm në historinë më të re të Kosovës, por që ishte mjaft e përgjakur dhe e stërmundimshme. Përse e meriton një epitet, do të thosha me përplot arsye edhe të heroit, kjo konsiston edhe në  bëmat e tija e që do përshkruanin këtë epitet. Se Agim Mehmeti, si ish i burgosur politik, e sidomos në mobilizimet e mëpasme në perëndim tregonte se e kishte seriozisht dhe më përkushtim atë punë ushtarake çlirimtare, e dëshmojnë të dhënat faktike që nga mobilizimi i njerëzve të tij të besueshëm, të miqve, kolegëve ushtarakë, por gjithsesi edhe të tjerëve, dhe atë gjithësecili i përcaktuar sipas përgjegjësive të tyre profesionale.

Ky aktivitet i tij i  përkushtuar kombëtar-ushtarak kishte bërë që të mbante organizime dhe takime që jorrallë edhe ishin tepër të stërmundimshme dhe me tensione. Njihet edhe kontributi i tij për njohjen dhe takimet edhe me Adem Demaçin, deri në rolin shumë të rëndësishëm për arritjen e “marrëveshjes së Oslos”.

Rrodhën si rrodhën gjërat, aspak të këndshme, por përkundrazi përçarëse deri me likuidime fizike, e sidomos deri te atentati shumë i rëndë ndaj kolonel Ahmet Krasniqi, dhe roli i Agim Mehmetit vazhdoi të mbetej shumë domethënës dhe specifik, sepse edhe përkundër problemeve të rënda shëndetësore ku pak kohë më parë kishte pësuar infarkt të rëndë, vazhdonte  këmbëngulshëm të qëndronte me pikëpamjet e tija. Agim Mehmeti, ishte institucionalist, në kontinuitet ishte në pikësynimet e tija. Por, Agim Mehmeti ishte edhe modest, e kjo si duket i kushtoi mjaft në jetën e tij, që ndokush edhe do dëshironte ta shihte në periferi të ngjarjeve të kohës, por që veprat nuk e shmangën në një kënd të tillë, por pëkrundrazi.

Tronditëse vrasja e Ahmet Krasniqit, e pasojat do ishin edhe më antikombëtare po mos të ishte përpjekja dhe roli  unifikues dhe qetësues i Agimit, që kishte ndikim tek shumë persona kyç në organizimet ushtarake dhe politike. E dinë dhe e njohin nga të dy krahët. E dinë karakterin e tij edhe nënkryyari i sotëm i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti,  e di edhe ministri aktual i Ministrisë së FKS-së, Rrustem Berisha, e dinë edhe shumë e shumë të tjerë.

Andaj, nuk është korrekte heshtja, anashkalimi dhe harresa, jo edhe aq e paqëllimshme e ndokujt ndaj veprës dhe jetës së Agim Mehmetit. Ndonëse pikënisja e tij nuk ishte për hero, por atë e bëri koha dhe rrethanat, e në duhet të jemi ata, propozimi ynë për të. Pasi propozimet vinë edhe nga organizata të ndryshme, qeveritare dhe joqeveritare, atëherë me siguri do ishte mirë që ndonjë subjekt politik, ndonjë organizatë e të burgosurve dhe të të përndjekurve politik apo e intelektualëve, apo nga vet institucionet të ipet një propozim për shpalljen hero të Agim Mehmetit. Sepse, të mendosh, të bësh, të organizosh, të sakrifikosh dhe të qëndrosh, e nuk është e mjaftueshme për një epitet të tillë?! Them se po, pasi heroi ka pamje njeriu që e specifikon mishërimi, dedikimi, sakrifica…

Po e pëmbylli me një kujtim të Agim Mehmetit , që ma pati treguar  për një takim që në një rast e kishte pasur me presidentin Rugova. “Duke dashur të merrja edhe mendimin e tij kur punët nuk po na shkonin edhe ashtu siç e mendonim dhe dëshironim, presidentin e pyeta në afërsi dhe atë në katër sy: Si t’ia bëjmë më tej? E presidenti Rugova shkurtazi ma ktheu: Ju jeni ushtarakë, ju e dini”.

Dhe, Agimi me të tijët e vazhduan deri sa i lanë dhe si e lanë, por heroizmin nuk i’a marrin dot. E pamundur është me kaq fjalë të përmblidhet një jetë e tillë në dobi të kombit dhe të sakrificës për të, por propozuesit dhe miratuesit mund  të kenë edhe më shumë të dhëna të cilat do të pëmrblidheshin në një fjali që do e përmbledhnin motivacionin për shpalljen e Agim Mehmetit hero.