.
×

Hazir Mehmeti: Lamtumirë Profesor Skënder Gashi!



Shpesh nuk gjendën fjalë, as sot këtu në Vjenën e profesorit të respektuar Skënder Gashi. Dhe, para të vjen rruga e përpjekjeve tona drejtë lirisë e cila nuk arrihet pa dije, mësim e trimëri, Aty edhe Profesor Skënder Gashi. Aty Jokli, Çabej, Mosi, Poradeci, Pekmezi, Basho, Korça, aty Djalëria, Vëllazënja, Albania… Dardania… Rruga nuk ishte e lehtë, auditorët e shkencës vareshin në peshën e madhe të detyrimit kombëtar drejtë lirisë me pendë e miqësi. Ai këto i bëri realitet. Në Vjenën e shkencës, kulturës aty ku e priste porosia e Madhe e mësimit shqip në Katedrën e rrallë në kontinent, e priste porosia e vëllait për nesër, e Dr. Gjergj Pekmezit që nga pranvera e tretë e shekullit që lëmë, përplot 35 pranvera të fjalës shqipe. Dr. Pekmezi shkoi papritmas, shkoi tani edhe Prof. Skënder Gashi papritmas, por fjala dhe mësimi shqip mbesin porosi moteve. Mendjen e zërin e respektuar e thërret Atdheu, e thërret liria. Atdheut i duhen miq, të ri e të vjetër, i duhet dora e Vjenës ashtu si dikur! Profesori kishte bërë miq për Kosovën. Shumë. Emri i tij ishte bërë synonim i shqiptarit intelektual në Vjenë dhe më larg. Prof. Skënder Gashi. E njihni Prof. Gashin? Ishte pyetja e parë e kontaktit shqiptar me Vjenën. Po, e njohim, e njihnim veprën e tij. ishte kjo gjithherë sapo takoje intelektual vendor dhe rrethet e tyre. Kjo të bënte gjithmonë krenar dhe shpresa rilindte. Po, kush nuk e njeh profesorin! Thoshin shumë nga ata dhe fillonin të tregonin për punën e tij në Katedrën e Gjuhës, për studimet e tij me rëndësi, për familjen e tij, kontaktet e tij me Atdheun. Ai kishte bërë emër intelektuali shqiptar në Vjenë në fundshekullin e njëzet trashëgimtar i intelektualëve të mëdhenj të fillimit të tij. Profesor Skënderi u gjend në Vjenë, aty ku miqtë shtrinë dorën e ndihmës mu atëherë kur ishte nevoja. Tani ai ishte bërë zëri i Kosovë në Radio Austria mu në momentin e duhur, atëherë kur shqiptarët dëboheshin nga shtëpitë e tyre, vritej jeta dhe armiku tregonte dhëmbët e ujkut të vjetër për të fundit herë. Shtëpia e tij ishte bërë seli e aktiviteteve, adresë për miq e vëllezër, dhe s’mund të thirrje Vjenën pa emrin e tij, Prof. Dr. Skendër Gashi. Dekorimi i Juaj , për merita pas kalimit në amshim është pak, është jashtë syve tuaj, përjetimit tuaj, por, JU nuk punuat për lavde formaliteti e grada kancelarish. Vepra e juaj do shndritë moteve në altarin e historisë së shqiptarëve gjithandej ku janë. Kurse, neve në Austri e diasporë na bëre gjithmonë krenar që të patëm. Sot Atdheut ju shkëput një yll i cili nuk do të shuhet kurrë brezave! Faleminderit për të gjitha, Profesor Skënder Gashi! Prehuni i qetë në dheun e tokës mëmë! Lavdi moteve shqiptare!