.
×

Hallakam në RTK, nëntë gazetarë denoncojnë shkeljet ligjore në televizion



Botapress 10 Gusht – Nëntë gazetarë të RTK’së kanë vendosur t’i kërkojnë të drejtat e tyre duke shkruar letra dhe kërkesa në drejtim të menaxhmentit. Kanë kundërshtuar emërimin e një redaktori të lajmeve për të cilin kanë thënë se s’ka pasur diplomë kur është pranuar në punë në RTK.

Radio Televizioni i Kosovës për çdo ditë i kushton Kosovës mbi 47 mijë euro. I harxhon deri 13 milionë euro në vit.

Mirëpo, aty s’e kanë problemin e parave dhe as rrogave.

Nëntë gazetarë kanë vendosur të bojkotojnë punën pse menaxhmenti i ri i RTK’së ka vendosur të emërojë një redaktor pa i përfillur procedurat ligjore.

Ata s’po e pranojnë për redaktor Besart Galicën. E kanë njoftuar edhe Drejtorin e Përgjithshëm të RTK’dë, Ngaxhnjim Kastratin, i cili ende kontestohet prej një pjesë të punëtorëve të RTK’së.

Nëntë gazetarët e RTK’së kanë shkruar në letër se s’po i dëgjon askush brenda televizionit pavarësisht fakteve që kanë s’ka pasur asnjë vlerësim paraprak për vendimet që janë marrë.

“Ne konsiderojmë se tashmë i kemi konsumuar të gjitha rrugët institucionale brenda RTK’së për ta zgjidhur njëherë e mirë këtë problem. Nga diskutimi që patëm sot kemi ardhur në përfundim që mungon vullneti dhe gatishmëria për një zgjidhje të shpejtë dhe të dinjitetshme të këtij problemi”, thuhet në letrën drejtuar menaxhmentit të RTK’së.

Gazetarët e RTK’së kanë publikuar të dhëna për shkelje ligjore edhe kur janë punësuar njerëzit në televizionin publik.

Aty mund të ketë hetime edhe prej Prokurorisë së Shtetit se si punësimet në këtë institucion ndodhin për njerëz të padiplomuar.

“Ju rikujtojmë se në rastin e kolegut Besart Galica nuk janë shkelur procedurat vetëm në emërimin e tij si redaktor në lajmet qëndrore, por edhe siç mund të jeni në dijeni për të njëjtin person shkelje ka pasur edhe në kriterin për punësim në kualifikimin përkatës”, thuhet më tej në letër.

Sipas gazetarëve, Besart Galica është ngritur në pozitën e redaktorit mbi bazën e diskriminimit, shkeljeve ligjore.

“…Tash e tutje do t’ju drejtohemi institucioneve përkatëse ligjore jashtë RTK’së…”, thuhet më tej në letër.