.
×

Hahn nuk e përjashton korrigjimin e kufijve si pjesë të marrëveshjes finale Kosovë-Serbi



Komisioneri për Zgjerim në Bashkimin Evropian, Johanes Hahn, ka folur rreth zgjidhjes përfundimtare të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, duke mos përjashtuar kështu edhe ndryshimin e territoreve apo korrigjimin e kufijve si pjesë të marrëveshjes përfundimtare ndërmjet dy shteteve, transmeton Gazeta Express.

Sipas tij marrëveshja e arritur ndërmjet dy shteteve duhet të kontribuojë për stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit.

Megjithatë Hahn thotë se edhe Serbia edhe Kosova duhet të jenë në dijeni për shqetësimin e bashkësisë ndërkombëtare sa i përket çështjes së dialogut.

Hahn në një intervistë për agjencinë e lajmeve MIA ka thënë se është e mundur që zgjidhja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arrihet nga mesi i vitit 2019.

Kujtojmë se takimi i fundit ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit në Bruksel nuk është mbajtur, ndërkohë ende nuk dihet se kur do të jetë takimi i radhës.

Federica Mogherini ka paralajmëruar se në fundin e muajit shtator do të caktohet për takimin e radhës ndërmjet dy shteteve në Bruksel.