.
×

Giz dhe Lux Development investojnë rreth 400 mijë euro në Qendrën e Kompetencës në Ferizaj  



Organizata gjermane Giz dhe Lux Development në bashkëpunim me firmën Heimerer Akademie do të investojnë rreth 400 mijë euro në Qendrën e Kompetencës në Ferizaj.

Ferizaj 12 shtator

Mbi 70 nxënës të shkollës Qendra e Kompetencës që studiojnë në drejtimet Siguria ushqimore e dieta, dhe Kujdes social e shëndetësor, gjatë tri viteve të ardhshme do të mund të marrin literaturë të nevojshme trajnime të ndryshme së bashku me mësimdhënësit e tyre, e ndoshta edhe shkëmbim përvojash në Gjermani, në bazë të një marrëveshje të realizuar në mes disa organizatave të huaja dhe kësaj shkolle.

Më saktësisht organizata gjermane Giz dhe Lux Development në bashkëpunim me firmën Heimerer Akademie do të investojnë rreth 400 mijë euro për ta zbatuar këtë projekt.

Këtë projekt si shumë të rëndësishëm e ka vlersuar edhe vet kreu i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, i cili ka thënë se ky projekt është shumë i rëndësishëm për të gjithë ferizajasit.

“Jam shumë i kënaqur dhe falënderues që ne kemi trokitur në ndërgjegjen e fuqishme të këtyre përfaqësuesve  dhe që idenë tonë e kanë matrealizuar duke marr pjesë edhe me donacione,  Heimerer Akademie me  200 mijë euro, 150 mijë euro Gizi gjerman dhe 50 mijë euro Lux Development nga Luksemburgu,  për çka unë i falënderoj nga zemra edhe në emër të gjithë ferizajasve, të cilët  do të kenë nevojën për dorën e këtyre nxënësve që dalin nga Qendra e Kompetencës në Ferizaj. Në të ardhmen planifikojmë që të bëhet edhe puroja të ndryshme mes nxënëseve kosovar dhe atyre gjerman në një të ardhme të afërt”, ka thënë kryetari Svarqa.

 


3

Kjo marrëveshje është vlerësuar tejet lart edhe nga përfaqësues nga Ministria e Arsimit sepse për nga karakteri publiko privat ai për herë të parë do të zbatohet në Kosovë dhe si e tillë do të hap rrugën që arsimi profesional i Ferizajt të bëhet i njohur në disa vende të botës.

U theksua se është parë një interes i dyanshëm për ta përkrahur arsimin profesional sepse vazhdimisht po shfaqet nevoja për avancim të kuadrit të mesëm profesional kosovar, ndërsa edhe firma gjermane “Heimerer” që ka themeluar në Kosovë një institucion të lartë arsimor me rreth 500 studentë ka theksuar se ka nevojë për objektet e shkollës së kompetencës.

Në gjithë Kosovën janë  të themeluara 6 qendra të Kompetencës të cilat mësimin e zhvillojnë në kushte moderne falë donacioneve dhe bashkëpunimeve me disa partnerë nga shtetet e zhvilluara.

Qendra e Kompetencës në Ferizaj ka të regjistruar rreth 500 nxënës që mësimin e ndjekin në më shumë se 10 drejtime.