.
×

Gëzim Muçolli: Stina e rrenës së përsëritur



Duke i lexuar titujt e disa gazetave dhe portaleve kosovare në Kosovë, ditëve të fundit të krijohet përshtypja se kjo është kohë e një diktature të hirtë. Mungesat e sukseseve të njerëzve të shtetit dhe hakmarrja ndaj shërbyesve të mirë dhe të suksesshëm, i ka hapur rrugë një fushate të propagandës më të ulët në nivele personale e joprofesionale.

Ky nuk është modeli i shtetit nr 15000.

Rreziku i fshirjes së memorjes dhe joshja pas parasë dhe antifamës e një tufe të gazetarëve tashmë të njohur për mungesë etike dhe për mercenarizëm sjell frikën e pastrimit të vetëdijes qytetare nga vlerat qytetare dhe bindjet demokratike.

Rrena e përsëritur dhe publiku i qorruar nga errësira dhe ndarja në kthina të qytetarisë elektorale me gjerarkët e militantizmit që i prijnë mjegullës së radhës me qëllime të llogaritura mirë: dikush don të ecë mbi trupat e njerëzve që me devotshmëri dhe përkushtim i shërbyen Republikës.

Në Kosovë në shenjë arrogance dikush e përsëritë se pasuli hahet me kokrra duke harruar se pas gëlltitjes të gjitha kokrrat mblidhen në një vend.

Dhe pikërisht ka shumë gjëra që nuk i tretë as barku i zbrazët as truri i lodhur nga mezzobustet siq i quante gazetari i mirënjohur italian Andrea Barbato dikur, njerëzit që nëpërmjet propagandës dhe mediave të korruptuara krijonin shtresa diktature në shoqërinë civile.

E ku ka sot shoqëri civile në Republikë, pos disa kuazianalistave dhe stilistave të rrenave të turpshme që denigrojnë figura të shquara që i dhanë shumë shtetit dhe sot po iu kthehet për fat të keq puna e mirë e tyre, me shkelje të dinjitetit human nga efektet e diktaturës së sistemit.

Titujt e gazetave kosovare aktualisht neve që i kemi përjetuar vitet “80 brenda fazave të atëhershme të zhvillimeve historike në Kosovën nën Jugosllavi, na kthejnë kujtesën e propagandës më të errët.Kur targetoheshin personat që duhej mënjanuar , me kujdes përgatitej fushatë e tmerrshme e denigrimit moral, ideologjik dhe fizik. Çdo rrenë kalonte dhe përsëritej derisa zinte vend duke krijuar efektin e vet të tmerrshëm.

Sepse rrena e përsëritur bëhet një e vërtetë e rrejshme që në gojët dhe mendjen e pakurrizorëve asocon me ndjenjën e domosdoshmërisë së shmangjes, shkarkimit, dëbimit dhe fshirjes nga memoria e qytetarisë.

Sidomos tash kur shoqëria civile nuk duket askundi e as shoqatat e grave që nuk po tregojnë asnjë kujdes apo ndjenjë solidariteti kur gabimisht apo qëllimisht sulmohet verbalisht deri në linçim ndonjë zonjë që mund të jetë kryetare shteti apo ambasadore , pikërisht pse puna e tyre në politikën e brendshme apo diplomacinë e jashtme i ka krijuar lavde dhe suksese Republikës.

Propaganda dhe ngjyra e hirtë dalëngadal krijojnë sistem paralel, atë të hijeve, që zakonisht dihet se ikin nga drita , atje ku drita nuk është vetëm fenomen fizik por edhe simbol i daljes nga llumi provincal ballkanik drejt integrimit të mbaruar.

Republika ime nuk mund të jetë asnjëherë vendi ku rrena servohet me libër recetash si dhe gjeneratat e gazetarëve të rritur me plazma-keksat e Serbisë pështyjnë gati vullnetarisht mbi punën e atyre që përditë kanë kryer detyrat e shtetit në mënyrë shembullore.

Republika ime është model i ngritur mbi themelet e shenjta , ku 15000 familje qajnë përnatë për të dashurit e tyre u flijuan për shtetin tonë demokratik e jo të hijeve dhe hijenave që po ia brejnë sistemin e vlerave dhe meritokracisë.

Përherë në emër të Civitas, lirive dhe të drejtave të njeriut.