.
×

“Fuqia e fjalës së shkruar rrënon perandoritë e ndërtuara mbi kulla letre”



mevlyde_saraqi_deputete_ldk

Mevlyde Mezini Saraçi

 

Majlinda Nana Rama, autoren e librit “Kritika letrare”, të romanit “Perandorët”   , vëllimeve poetike “Merrma lotin peng”  dhe ‘Hënë e qiellit tim” si dhe prozën “…por gjyqi vazhdon”,  e njoha përmes ekranit dhe shkrimeve në shtypin shqiptar.

Botën e saj krijuese e mësova përmes  leximit të romanit të saj “Perandorët” dhe librit “Kritika letrare”.

Një krijuese e re në moshë por e pjekur në krijimtarinë e saj lë mbresa për  dashamirët e librit dhe lexuesit e të gjitha moshave.

Shqipëria pas një periudhe të gjatë  të sundimit monist përjetoi edhe katrahura në dy dekada tjera tranzicioni.  E kush më shumë se krijuesit e ndjejnë këtë dhe dinë ta pasqyrojnë në mënyrë reale këtë proces.

Qytetarët flasin, nëpër kuluare pëshpëritin, nëpër kafene rrotullojnë  gotat e rakisë me diskutime të nxehta, por të gjitha këto biseda dhe kritika përfundojnë me gëllënjkën e fundit të pijeve apo të kafes dhe përshëndesin njëri tjetrin me shpresë  se do të bëhet më mirë.

Majlinda, në vend të diskutimeve që nuk prodhojnë ndonjë efekt,  me një përkujdesje të jashtëzakonshme, me mençurinë e saj, me guximin që të mahnitë, të gjitha ato dukuri negative dhe të vrazhda që ndodhin në emër të tranzicionit, proceset që zvarritën dhe zvarrisin zhvillimet shoqërore e politike në Shqipëri, i vuri në letër, i renditi personazhet dhe ngjarjet për mrekulli dhe e  nxori në botim në romanin e saj “ Perandorët”.

Mbase ngjarjet dhe personazhet e përshkruara në këtë roman mund të ngjasojnë edhe në realitetin tonë në Kosovë në vitet e pasluftës në zhvillimet e demokracisë së brishtë dhe përvojës së munguar në udhëheqjen e shtetit të ri.

Nga shkollimi dhe përvoja e Majlindës, nga botimet e saj të gjertanishme, nga komunikimi me lexuesin nuk habit fakti pse pikërisht i nxori në roman personazhet negative të Shqipërisë në kohën e tranzicionit me të gjitha të këqijat që i sollën shqiptarëve. Ajo me teknikën e saj të të shkruarit të prozës si rrëfim letrar paraqet realitetin shqiptar me figura e personazhe të vërteta.

Nga publikimet e medieve që u bënë rreth botimit të këtij romani bëri që promovimi të organizohet edhe në  shumë shtete evropiane kudo ku jetojnë shqiptarët dhe pati jehonën e vet. Mënyra e promovimit, të komunikimit me lexuesin ishte edhe një rrëfim në vete, mbase mundësi e mirë për shqiptarët që jetojnë larg atdheut.

Edhe ne sot tek jemi mbledhur në këtë  ambientet të bukur të Institutit Albanologjik, po shënojmë edhe një festë letrare, pikërisht me rastin e promovimit të librit “Kritika letrare” të autores Majlinda Nana Rama.

Këtë libër e lexova me shumë vëmendje. E lexova dhe rilexova. Po, sepse pikërisht mënyra e analizës, vështrimit letrar,qasjes së kritikës letrare të lirikave të poetëve botërorë ishte bërë me një mjeshtri  të hollë dhe përkujdesje të veçantë.

Majlinda bashkë me  analizat letrare në librin e saj na solli edhe disa nga vargjet e zgjedhura  lirike, të shkrimtarëve më të mëdhenj botëror si  ato të Rambosë,  Lamartinit,, Lorkës,  Bërnsit,  Hajnes etj , për të vazhduar me poezinë lirike të Lasgush Poradecit, Ali Asllanit, Ali Podrimjes,  Dritëro Agollit. Martin Camajt,  Azem Shkreli deri të autorët më të rinj të letërsisë bashkëkohore shqiptare.

Përveç se në mënyrë shumë pedante paraqet analizën letrare ajo sjell edhe paralele  mes vargjeve lirike  të poetëve  Hajne dhe Ali Asllani.  Dhe në analizën e saj Majlinda pasqyron momentet që të dy autorët i këndojnë dashurisë së pa kufi në botën e jetuar dhe si  e lirojnë dashurinë pas humbjes së personit të dashur si një paradoks.

Vetë autorja e këtij libri e ka bërë punën e saj të shkëlqyeshme dhe të përmbledhur duke e sjellë para lexuesve, të cilët përveç se do ta lexojnë, mbase do të provokohen dhe do ti rikthehen sërish rileximit të  të veprave të poetëve me më shumë përkushtim dhe vëmendje për të gjetur detajet të cilat janë të analizuara dhe të pasqyruara nga Majlinda. Ky libër do ti provokoj edhe lexuesit e rinj të cilët mbase nuk e kanë pasur rastin apo mundësinë ti kenë lexuar veprat për të cilat shkruan autorja në këtë botim. Prandaj qëllimi i botimit të këtij libri “Analiza letrare” përveç që përmbushë kritikën letrare ajo krijon një rreth të ri të lexuesve për veprat e saja por edhe për veprat e autorëve  tjerë si dhe në një masë rikthen lexuesit e fjetur.

Përveç që është guxim nevojitet edhe mjeshtri prej kritiku letrar që të shkruaj për vepra dhe autorë të studimeve letrare, më saktë të Akademik. Ali Aliut, Behar Gjokës, Jorgo Bulës, Nasho Jorgaqit, Majlinda në këtë botim  sjell edhe shkrime për ta, mbase Behar Gjoka është edhe redaktor i romanit të saj, ndërkaq Akademiku Ali Aliu, redaktor i librit “Kritika letrare”

Analizave të “Kritika letrare” nuk ka se çka i shton përveç faktit se lexuesit do të ketë në dorë një margaritar të kritikës letrare shqiptare dhe një studim të shkëlqyeshëm për veprat e  poetëve më të njohur të poezive lirike botërore dhe poetëve më të mirë shqiptar.