.
×

Drejtori i OEAK, i shqetësuar me grabitjet e bankave në Kosovë



Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) organizoi tryezë diskutimi me guvernatorin e BQK-së, Fehmi Mehmeti, drejtorin e OEAK, Arian Zeka dhe disa biznesmenë kosovarë lidhur me ndikimin e sektorit bankar në zhvillimin ekonomik.

Gjatë këtij takimi u fol për tarifat e larta të shërbimeve nga bankat që janë rritur kohëve të fundit, si dhe rastet e grabitjes së bankave.

Drejtori i OEAK, Arian Zeka tha se janë shumë shqetësuese rastet e shpeshta të plaçkitjeve në banka që po ndodhin kohëve të fundit.

Sipas tij, është inkurajues fakti që guvernatori i BQK-së është takuar me instancat më të larta të sigurisë në vend.

“Në mënyrë që kjo çështje të trajtohet me kujdes ashtu që as stafi e as asetet e konsumatorëve të mos rrezikohen si rezultat i masave të dobëta të sigurisë, guvernatori ka zhvilluar takime me përgjegjësit e sigurisë në vend”, ka thënë Zeka.

Guvernatori i BQK-së, tha se sektori bankar në Kosovë vitet e fundit ka shënuar rritje të ekonomisë në vend dhe se rreth 50 për qind të kredive i dedikohen ndërmarrjeve që merren me tregti.

Ndërkaq, sa i përket rritjes së tarifave nga bankat në Kosovë, Mehmeti tha se ekziston një rregullore përmes të cilës bankat obligohen që të arsyetojnë rritjen e tarifave.

“Në tetor norma mesatare e interesit është 6.6 për qind. Sektori bankar i Kosovës vazhdon të jetë i qëndrueshëm. Jemi informuar nga mediat se bankat kanë pasur rritje të tarifave andaj ne si bankë qendrore jemi të obliguar që të marrim masa ndaj këtyre bankave.”, ka thënë ai.

Guvernatori i BQK-së gjithashtu tha se janë hequr tarifat hyrëse dhe se të hollat që kanë fituar bankat në Kosovë përmes këtyre tarifave nuk mund t’u kthehen qytetarëve mirëpo ka dy muaj që është marrë vendimi për heqjen e tyre.

Gani Sallauka nga sektori financiar Vllesa tha se sistemi bankar “ka filluar të shërbejë më zor” sepse siç tha ai, “bankat po i rrisin tarifat, një pagesë në bankë po kushton pesë euro, ne e kryejmë edhe me 50 cent”.

Disa nga biznesmenët thanë se si pasojë e tarifave të larta të bankave po detyrohen që të kalojnë nga njëra bankë në tjetrën dhe kjo sipas tyre po krijon vështirësi të mëdha në zhvillimin e biznesit të tyre.