.
×

‘Diplomoi’ në shkollën që nuk ekziston, padi penale kundër Nebojsha Stefanoviq



Aleanca për Serbinë ka ngritur padi penale kundër ministrit të Brendshëm të Serbisë Nebojsha Stefanoviq për falsifikimin e dokumenteve mbi arsimin e përfunduar të fakultetit, si dhe ndaj personave përgjegjës nga fakulteti Megatrend.

Akuza penale u paraqit në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd, një departament i posaçëm për shtypjen e korrupsionit dhe Ministrisë së Arsimit iu dorëzua Kërkesa për Mbikëqyrjen e Inspektimit në Fakultetin e Studimeve të Biznesit në Universitetin Megatrend.

Kreu i Lëvizjes Dveri Boshko Obradoviq tha se organet përkatëse dhe ministri Stefanoviq, të cilin Aleanca për Serbi e akuzon për falsifikim të diplomës së fakultetit, nuk përgjigjen, pasi kërkojnë kohë për të “rregulluar dokumentet” që vërtetojnë vlefshmërinë e kësaj diplome “jo-ekzistuese”.

Aleanca për Serbinë dhe Lëvizja Dveri e akuzuan Stefanoviqin dhe Fakultetin e Beogradit Megatrend për nostrifikimin e diplomës që ai dyshohet se e ka marrë në një shkollë të Britanisë së Madhe, për të cilën ata thonë se nuk ekziston.

“Stefanoviq 15 vjet më parë iu drejtua me kërkesë Megatrendit për ta nostrifikuar diplomën për të cilën thuhet se e ka marrë nëpërmjet sistemit arsimor të Mbretërisë së Bashkuar në një shkollë të quajtur Megatrend International Expert Consortium Limited. Kjo firmë në Angli nuk është regjistruar kurrë për arsim,” tha kryetari i SSP-së, Dragan Gjilas.