.
×

Dënohet me gjashtë muaj me kusht pasi pranoi se bleu për pesë euro akumulatorin e vjedhur



Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, e ka dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, të akuzuarin për blerje të sendeve të përfituara me vepër penale, Nasuf Strana. Por, dënimi ndaj tij nuk do të ekzekutohet, nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.

Ai akuzohej se ka blerë një bateri të veturës (akumulator) në shumën prej pesë euro, për të cilin, sipas prokurorisë, e ka ditur se ka qenë e vjedhur nga e mitura, B.M.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të premten nga gjykatësi Agron Maxhuni, pasi në seancën e së enjtes, i akuzuari Strana, e kishte pranuar fajësinë lidhur me këtë vepër penale.

Në emër të shpenzimeve procedurale, i pandehuri është obliguar që pas plotfuqoshmërisë së këtij aktgjykimi, të paguajë paushallin gjyqësor në shumë prej 20 euro.

Ndryshe, Prokuroria Themelore Mitrovicë, më 1 mars 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj Nasuf Strana, i cili akuzohej se në mbrëmjen e 27-28 marsit 2018, në rrugën “Aziz Zhilivoda”, kishte blerë një bateri të veturës (akumulator) të tipit “Molla”, 75 AH, me çmim prej pesë euro nga e mitura B.M, e cila e kishte vjedhur, e për të cilin, sipas aktakuzës, ai e ka ditur se është i vjedhur, shkruan “Betimi për Drejtësi”.

Ndaj të miturës është ndarë procedura e cila është duke u zhvilluar në Departamentin për të Mitur.

Me këtë, i pandehuri Strana akuzohet se ka kryer veprën penale “blerja, pranimi ose fshehja të përfituara me kryerjen e veprës penale”, nga neni 345, par 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.