.
×

Çfarë do të thotë për LDK’në pajtimi i Vjosës dhe Lutës?



Dy figurat e Lidhjes Demokratike që i kishin shpallë luftë njëri-tjetrit publikisht, janë tërhequr nga pozicionet kundërshtare. Lutfi Haziri dhe Vjosa Osmani, dy pretendentët e deklaruar për kryetar të LDK’së kanë qetësuar gjakrat. Nëse para disa muajve quheshin mashtrues, tash Haziri e pranon që e ka ngacmuar Osmanin me deklarata, e deputetja thotë se i kanë tejkaluar problemet.

Në të njëjtën ditë, në intervista të ndryshme, dy kandidatët e mundshëm për kryetar të partisë, Osmani dhe Haziri janë deklaruar për mospajtimet dhe përplasjet publike që kishin mes vete, duke shënuar kthesë të papritur.

Më pak se një vit më parë, çështja e ndryshimit të kufijve i kishte zbuluar së pari konfliktin e nënkryetarit të LDK’së me deputeten e kësaj partie.

Haziri e akuzonte Osmanin duke i thënë se ‘nusja e Preshevës’ po e harron Luginën, në kohën kur deputetja po deklarohej vazhdimisht kundër shkëmbimit të territoreve.

Nga ana tjetër, Osmani e akuzonte Hazirin se po bashkëpunon me presidentin Hashim Thaçi për jetësimin e idesë së ndryshimit të kufijve.

Më vonë këto përplasje vazhduan edhe për kreun e partisë. Kështu, në intervistat që dyshja kanë dhënë në studio televizive kanë goditur njëri-tjetrën rreth meritave brenda LDK’së.

Megjithatë, sot kur flet për raportet me nënkryetarin e partisë, Osmani thotë se polemikat nuk kanë pasur të bëjnë me garën për kryetar të partisë. Përplasjet me Hazirin i ka quajtur të momentit.

“Jam shumë krenare që jam nuse e Preshevës e bijë e Mitrovicës, por përtej këtyre jam deputete. Detyrë parësore e imja është të mbroj betimin për sovranitet të vendit. Kanë qenë keqkuptime që i kemi tejkaluar. Janë diskutuar e tejkaluar. Reagime të momentit. Asnjë lidhje me kandidaturat në LDK ajo polemikë s’ka pas. Është lidhur me qëndrimet tona për ndryshimin e kufijve. Pos që është tejkaluar, fakti që edhe Haziri ka thënë se respekton vendimin e Këshillit të Përgjithshëm ka kontribuar që të tejkalohet”, ka thënë deputetja e LDK’së në KTV.

Ndërkaq, Haziri, i ftuar gjatë ditës së sotme në Frontal të Televizionit 7, ka thënë se e ka ngacmuar Osmanin dhe se nuk ka asgjë kundër kësaj.

Një nga deklaratat ‘ngacmuese’, Haziri e kishte dhënë kur gjendej i vetëm në parti rreth qëndrimit për bashkimin me Luginën e Preshevës. Kur Osmani kishte shkuar në kullën e Isa Boletinit bashkë me dy deputetë të tjerë, nënkryetari Haziri kishte shkruar:

“Nuk po çuditna me Armend Zemajn e Haxhi Avdylin, por po çuditna me këtë nusen e Preshevës, vendlindjes së Idriz Seferit, e cila po shet men te Boletini i Kosovës, tue harrue vendlindjen e kolosit të Karadakut që sot gjendet në Serbi”.

E, Osmani nuk hezitonte t’i kthente sulmet Hazirit.

Ajo e akuzoi nënkryetarin e partisë së saj se po e mashtron Luginën e Preshevës bashkë me Presidentin Thaçi.

“Para se të jem nuse e Preshevës, unë jam bijë e Mitrovicës. Atyre që i bëjnë argat idesë së ndarjes do u thosha marre ju koftë, por kurrë në jetën e tyre s’kanë pasur as marre e as fytyrë”, shkruante Osmani në një postim në Facebook.

Deklarata të tjera direkte ishin bërë edhe kur nisen zgjedhjet e brendshme në parti.

Haziri e kishte akuzuar Osmanin se nuk ka pranuar të kandidonte për kryetare të Prishtinës kundër Shpend Ahmetit.

Ndërkaq, deputetja kishte thënë në emisionin Pressing të T7’ës se ajo nuk e ka pasur përkrahjen e kryesisë së partisë për një garë të tillë.