.
×

Bunjaki: Mos u çuditni me Durmishajn që zgjodhi Greqinë



Fiorin Durmishaj e ka zgjedhur Greqinë për ta përfaqësuar. Ish përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki, e ka komentuar rastin e futbollistit shqiptar, Fiorin Durmishajt, i cili zgjodhi ta përfaqësojë Greqinë.

Nga përvoja e tij në procesin e vështirë të ndërtimit të Kombëtares së Kosovës, Bunjaki thotë se ky rast nuk duhet të habit.

“Sigurisht raste të tilla ka pasur dhe do të ketë. Rasti i Kosovës ka qenë pak më ndryshe, pasi ne u njohëm nga FIFA, pasi një valë nacionalizmi te shumë lojtarë të diasporës. Na erdhën lojtarë si Valon Berisha dhe Bersant Celina që ishin pjesë e Norvegjisë”, ka deklaruar Bunjaki.

“Në refuzimin e lojtarëve ka shumë faktorë: Agjentët, prindërit, klubi etj. Në Skandinavi lojtarëve u lihet të vendoset vetë. Unë mendoj se nëse një lojtar shkon deri në kombëtaren U21 duhet të ketë një lloj garancie për kombëtaren e parë”, ka thënë ai në Super Sport.

Ai e ka marrë shembull rastin e yllit të Kosovës, Arbër Zenelit. “Kam pasur bisedë me Arbër Zenelin. Kur i dhashë ftesën ai ishte pjesë e Suedisë U21. Zeneli bashkërisht me familjen kishte vendosur që të pranonte secilën kombëtare që do t’i çonte ftesën i pari”, ka treguar ish seleksionuesi i Kosovës.

Bunjaki e komenton edhe skuadrën themelet e së cilës vet i kishte ndërtuar. “Mendoj që Liga e Kombeve, ka qenë një projekt shumë i qëlluar. Kosova nuk është më një kombëtare me lojtarë të rinj. Futbollistë si Milot Rashica dhe Arbër Zeneli janë zhvilluar shumë. Këto kualifikime do t’i shërbejnë Kosovës për t’u përgatitur për fazën finale të “Nations League”, pasi do të ndeshet me ekipe si Bullgaria dhe Mali i Zi, që kanë një lojë të ngjashme me Maqedoninë”, është shprehur ai.