.
×

Bota në 365 ditë: Rikthimi i konflikteve të kohës së luftës së ftohtë



Ishte ky një vit monumental për lajmet anembanë botës. Konfliktet e reja dhe ato të vjetra pushtuan vëmendjet në të gjithë globin.

Nga tmerret e luftëtarëve mizorë të organizatës “Shteti Islamik” deri te skenat e luftimeve në një shtet të Evropës dhe betejat tashmë të vjetra të Sirisë, bota e 365 ditëve që po lëmë pas u bë dëshmitare edhe e shumë krizave e trazirave të tjera.

Flakët e Ukrainës

Gjithçka nisi kur protestat e Kievit degjeneruan në dhunë, sollën rrëzimin e Qeverisë ukrainase dhe i prin luftës në pjesën lindore të vendit, e cila po vazhdon edhe më tutje. Dhuna plasi në momentin kur policia u mundua të shtypte pakënaqësinë e shndërruar në një kryengritje paqësore vetëm pse demonstruesit kërkonin afrimin e vendit me Bashkimin Evropian. Së paku 79 persona u vranë gjatë pesë ditëve të përleshjeve nëpër rrugët e sheshit “Pavarësia”.

Më 21 shkurt, presidenti Viktor Yanukovich u arratis nëpërmjet Krimesë në Rusi. Ajo menjëherë i doli në mbrojte presidentit të rrëzuar, ndërkohë që e aneksoi në mars ishullin e Krimesë. Separatistët prorusë pushtuan ndërtesat qeveritare në Donetsk, Luhansk dhe Kharkiv, derisa lufta po përshkallëzohej në pjesën lindore të vendit, ku Rusia veç kishte dërguar trupa e makineri lufte pa emblema që t’iu dilnin në krah milicive që kundërshtonin afrimin e Ukrainës me Brukselin zyrtar.

Perëndimi u zemërua edhe më fort me Rusinë, pas rrëzimit të aeroplanit të “Malaysia Airlines”, në korrik të këtij viti, në territorin ukrainas. Dyshohet se aeroplani ishte qëlluar prej separatistëve prorusë me armatim rus. Kombet e Bashkuara raportuan se lufta në lindje të Ukrainës ka marrë jetën e rreth pesë mijë personave.

Konflikti ka rikthyer retorikën kërcënuese ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë. Madje, ish-lideri sovjetik, Mikhail Gorbachev, paralajmëroi se bota ndodhet në “prag të një lufte të re të ftohtë”.

“Shteti Islamik” ia kapërcen “Al-Qaedas”

Në qershor Iraku thelloi edhe më shumë krizën, kur “Shteti Islamik” i Irakut dhe i Sirisë mori kontrollin e qytetit të dytë më të madh irakian, Mosul. Grupi tash ka nën kontroll një pjesë të madhe të territorit të Sirisë dhe Irakut. “Shteti Islamik” shpalli “kalifatin”. Prej kësaj pjese të globit dolën lajme të trishtueshme dhe të tmerrshme që ua futën frikën në palcë të gjithë banorëve të globit, transmeton koha.net.

Prerja e kokave të gazetarëve dhe qindra personave në sulme masive bënë që krimet e tyre të kapërcenin përmasat e brutalitetit të “Al-Qaedas”. Ata kanë kryer dhunime masive dhe kanë zbatuar sulme që kishin për qëllim shfarosjen e fiseve të tëra, siç bënë me komunitetin jazid.

Bashkësia ndërkombëtare u alarmua prej këtyre krimeve dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në gusht nisën t’i prinin koalicionit, që po kryen sulme ajrore kundër caqeve të “Shtetit Islamik”. Megjithatë, shtetet refuzojnë të angazhojnë trupa tokësore kundër militantëve radikalë islamikë në Siri dhe Irak nga frika e një lufte të re, të gjatë dhe të kushtueshme si e mëparshmja në Irak.

Assadi vazhdon të mbahet

E presidenti sirian, Bashar al-Assad, i ka mbijetuar edhe vitit të tretë të luftës civile dhe është afër përfundimit të vitit të katër, duke zhytur edhe më shumë vendin në kaos. Miliona sirianë vazhdojnë të jetojnë nëpër tenda najloni në Jordani, Liban e Turqi. Shumë grupe të ndryshme militante po luftojnë kundër Assadit, por edhe kundër njëra-tjetrës për marrjen e kontrollit. Degë të “Al-Qaedas” kërkojnë largimin e Assadit dhe vendosjen e rendit islamik.

Ushtria e Lirë Siriane edhe sivjet është ankuar se nuk ka mbështetjen e Perëndimit për heqjen qafe të dinastisë së dhunshme të Assadëve, të cilët kanë mbështetjen e Rusisë në Këshill të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku Perëndimi është munduar të marrë mbështetje ligjore për dhënien e ndihmës opozitës siriane që zotohet për shtet të së drejtës. OKB’ja raportoi se revolta paqësore që u shndërrua në të dhunshme në pranverën e vitit 2011, ka marrë jetën e rreth treqind mijë sirianëve të pafajshëm.

Perëndimi është shqetësuar edhe më shumë për shkak të mijëra shtetasve evropianë me prejardhje nga Lindja e Mesme, që kanë shkuar në luftë në Siri dhe janë kthyer në vendet e Lindjes.

Izraeli shokoi botën në Gaza

Konflikti i Gazës në korrik shokoi botën. Shteti hebraik nisi fushatën shkatërruese pas rrëmbimit të tre të rinjve izraelitë prej palestinezëve. Gjatë shtatë javëve të bombardimit, të vrarë mbetën mbi 2.200 persona, shumica absolute prej të cilëve palestinezë. Mediat ndërkombëtare raportuan për vuajtjen dhe tmerret e përjetuara nga njerëzit e pafajshëm, transmeton koha.net.

Izraeli nuk e ndali operacionin derisa nuk i shkatërroi shumicën e tuneleve të gjata të militantëve palestinezë të “Hamasit”, për të cilët thoshte se ishin përdorur për sulme matanë kufirit izraelit. Sulmet e Izraelit u dënuan nga shumica e organizatave të respektuara të të drejtave të njeriut dhe nga shtetet perëndimore. Izraeli konsideron se po mbronte interesat kombëtare.

Ebola, epidemia që sfidoi botën

Epidemia e fundit e ebolas së pari u bë lajm në dhjetor të vitit të kaluar. Më 8 gusht të këtij viti, Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli ebolan “epidemi ndërkombëtare”. Deri në dhjetor, ajo ka marrë jetën e rreth shtatë mijë personave. Virusi, që shpërndahet me kontakt të afërt nëpërmjet lëngjeve trupore, së pari u raportua në Guine dhe u përhap në Sierra Leone e Liberi.

Më vonë pati persona të infektuar edhe në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë. OKB-ja tha në shtator se një kundërpërgjigje “masive” botërore ishte e nevojshme për ta ndalur përhapjen e ebolas. Britania zotoi 230 milionë sterlina për luftimin e sëmundjes në Sierra Leone, duke hapur një spital.

Fitorja e republikanëve të SHBA’së

Edhe optimistët më të mëdhenj të partisë u befasuan kur republikanët fituan zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara. Tashmë me kontrollin në Kongres, partia ia doli të menaxhonte marrjen e kontrollit të Senatit, duke e vendosur në pozitë të sikletshme presidentit demokrat, Barack Obama.

Edhe pse demokratët u ankuan se ishte një natë e keqe, rezultatet i nxorën edhe më keq se pritej. Amerikanët duket se vendosën të ndëshkonin gjashtë vjetët e Obamas në Shtëpi të Bardhë. Republikanët tani kanë shumicën më të madhe në Kongres prej Luftës së Dytë Botërore. Mia Love u bë kandidatja e parë zezake që u zgjodh kongresiste republikane, dhe 30-vjeçarja Elise Stefanik u bë femra më e re që prezantohet në Dhomën e Përfaqësuesve.

Trazirat e Fergusonit

Më 9 gusht, në Ferguson të Missourit, Darren Wlson, oficer i bardhë policie, e qëlloi për vdekje Michael Brown, një tinejxher zezak i paarmatosur. Trupi i pajetë e Brownit mbeti katër orë i pambuluar në rrugë. Kjo ishte një tragjedi familjare, por që u shndërrua në një debat dhe trazira që përfshinë një pjesë të shtetit, ku të dhënat tregojnë se të rinjtë zezakë kanë 21 herë më shumë mundësi të qëllohen prej policisë sesa bashkëmoshatarët e tyre të bardhë.

Fergusoni bëri xhiron e botës si lajm kur policia shtypi me dhunë protestat që kundërshtonin racizmin. U arrestuan edhe gazetarët. Dhuna nuk u ndal, pasi të pakënaqurit nisën të digjnin dyqane dhe të plaçkitnin qytetin. Për shumë amerikanë Fergusoni ishte dëshmi se sistemi amerikan i drejtësisë ende nuk i trajton barabar të zinjtë dhe të bardhët. Amerika u detyrua ta pranonte se raca ende ishte problem.

Masakrimi i nxënësve në Pakistan

Bota ka nisur të besojë se më nuk duhet të shokohet prej krimeve të kryera prej talebanëve, se ata kanë nisur të bëhen imunë prej të shtënave dhe bombardimeve. Por më 16 dhjetor bota e mësoi se e kishte gabim. Vetëvrasësit talebanë sulmuan një shkollë në qytetin pakistanez të Peshavarit në kohën kur ajo ishte plot me nxënës. Në një rrethim që zgjati shtatë orë, luftëtarët ecën klasë më klasë, duke qëlluar gjithçka që lëvizte. Në fund, u mor vesh se ata lanë të vrarë 141 persona, shumica prej të cilëve nxënës.

Malala Yousafzai dhe familja e saj, viktima të dhunës së talebanëve, qanë kur morën vesh lajmin në Birmingham. Në kohën kur vendi po varroste viktimat, kryeministri Navaz Sharif premtoi se një ditë do të hakmerrej ndaj atyre që qëndruan prapa sulmeve të militantëve.