.
×

Berisha: Ja e vërteta e deklaratës sime për marrëveshjen e Rambujesë



Ish –Kryeministri Sali Berisha, në një postim në Facebook, ka reaguar ndaj një paraqitje televizive në emisionin “Opinion” të ish-deputetit Berat Buzhala, i cili ka thënë se Berisha kishte bërë thirrje që delegacioni i Kosovës të mos e pranojë marrëveshjen e Rambujesë. Berisha në postimin e tij ka sqaruar pozicionin që e ka mbajtur atë kohë për këtë marrëveshje.

Më poshtë mund të lexoni të plotë postimin e Berishës.

Rambuje, qëndrimi im dhe kori i apatridëve!

December 3, 2014 at 4:41pm

I nderurar zoti Buzhala, së pari, ju lutem pranoni përshëndetjet e mia dhe kërkesën time për mirëkuptim për këtë reagim ndaj një deklarimit tuaj në një debat në emisionin Klan “Opinion”. Në këtë debat, javë më parë në “Opinion”, duke komentuar deklaratën e Ramës në Beograd pa asnjë lidhje ju u shprehët: “sepse Sali Berisha në vitin 1999 thoshte mos pranoni Rambujenë. Pra, Kosova nuk përfitoi shumë prej deklaratave të kësaj ndërhyrje”. Kërkova mirëkuptimin tuaj sepse, shkaku i vërtetë i kësaj përgjigje nuk është deklarata juaj në të cilin ju, më së paku për arsye tuaja, keni komentuar qëndrimin tim duke e nxjerrë atë jashtë kontekstit tashmë plotësisht të njohur për cilindo që i pëlqen e vërteta. Deklerata juaj është thjeshtë vetëm preteksti i kësaj përgjigje sepse deklarata shumë më të hidhura për këtë çështje, nga data 18 shkurt 1999 deri me datë 13.11.2014 nga Edi Rama në TCH, janë me dhjetra në mos qindra të bëra nga ministra, kryeministra, socialistë, gazetarë, analistë, pseudoanalistë, kryesisht të Shqipërisë por në ndonjë rast edhe të Kosovës.

Kështu që kjo përgjigje që jepet për herë të parë me shkrim për këto akuza, ju drejtohet natyrisht dhe ju, por para së gjithash, atyre që shpifën, trilluan, spekulluan me qindra herë lidhur me qëndrimin tim të drejtë ndaj Rambujesë dhe që përputhej plotësisht me interesat më jetike të kombit.

Sipas pretendimit të tyre qesharak, unë me deklaratat e mia të asaj kohe, bllokova marrëveshjen dhe kjo i dha kohën e duhur Milloshevicit të zbresë trupat dhe të masakrojë Kosovën. E vërteta është, siç do ta shohim poshtë, se unë nuk kam bllokuar asnjë marrëveshje, por kam denoncuar dhe kundërshtuar një projekt-marrëveshje, e cila kurrë nuk mund të pranohej.

Ky kor mjeranësh, ndaj të cilit kam qenë indiferent, me akuzat e shplara ndaj meje për këtë çështje, vetëm sa ka hequr maskën dhe zbuluar keq vetveten.

Me këtë rast theksoj se ata shqiptarë që kanë qenë në Rambuje ose që kishin informacion në kohë reale nga konferenca dhe lëshonin asokohe këtë akuzë, me megafonët e qeverisë shqiptare apo në anekset e kështjellës mesjetare për qëndrimet e mia, ata vetëm sa më provonin qartë se, ishin për sakrifikimin e Kosovës dhe qëndrimin e saj nën Serbinë me një status të gjymtuar të para 1974, dhe kjo vetëm e vetëm për të çimentuar pushtetin e tyre, ose thjesht të detyruar për të zbatuar udhëzimet e Beogradit.

Ndërsa une vendosa t’ju përgjigjem ju, duke shpresuar se nuk e njihni mirë të vërtetën e qëndrimit tim, në ato ditë të një rëndësie vendimtare për shqiptarët.

Konferenca e Rambujes që u mbajt në datat 6-23 shkurt 1999, ishte angazhimi më i madh ndërkombëtar në histori për ne shqiptarët, ishte një Deyton i dytë, por tashmë vetëm për Kosovën. Në atë kohë, si kryetar i opozitës në Shqipëri, e kam ndjekur me përqëndrimin dhe vëmëndjen më të madhe, e kam mbështetur konferencën, jo me një por me disa deklarata, në prag dhe gjatë zhvillimit të saj, në takimet e mia publike dhe private me përfaqësues të Kosovës dhe të komunitetit ndërkombëtar.

Konferenca, siç dihet, nisi punimet me shqyrtimin e dokumentit “kushtetutës” së Rambujesë për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Ky dokument nuk ishte i përsosur por ishte më i miri që Fuqitë e Mëdha kishin paraqitur deri atëherë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Dokumenti parashikonte largimin de facto të Serbisë nga Kosova (përveç kufirit ndërkombëtar), futjen e trupave të NATO-s në Kosovë, parashikonte konstituimin e institucioneve të Kosovës dhe pas një periudhe kalimtare tre vjeçare, referendumin e popullit për të përcaktuar statusin përfundimtar të Kosovës. Pra, respektonte kështu të drejtën e ushtruar edhe më parë në kushtet e pushtimit, nga qytetarët e Kosovës, për statusin e Kosoves, ashtu dhe rezolutën e iniciuar nga qeveria shqiptare të OKB për Kosovën, të votuar në vjeshtën e vitit 1994, nga 137 vende, pra mbi 2/3 e vendeve antare e cila njihte dhe sanksiononte pa ekuivoke të drejtën e shqiptarve për vetvendosje.

Me sa di unë, dokumenti nuk kishte të qartë rolin e ardhshëm të UÇK për të cilin dhe probleme tjera po negociohej. Një gjë ishte e sigurt – Millosheviçi dokumentin nuk e pranonte.

Konferenca po shteronte kohën e parashikuar, ajo duhet të përfundonte me datë 20 shkurt, por papritmas ndodhi një kthesë përmbysëse në punimet e saj. Me datë 17 shkurt në darkë, në mos gaboj, informohem se kishte ndodhur e pabesueshmja. Projekti mbi të cilën ishte diskutuar që nga data 7 shkurt, u zëvendësua nga pesëshja, Fuqitë e Mëdha me një projekt të ri, të kundërt me të parin, që dukej sikur të ishte shkruajtur në Moskë apo Beograd.

Në tekstin e ri që iu dorëzua befasishëm dhe pothuaj në fund të kohës të caktuar për zhvillimin e Konferencës delegacionit shqiptar dhe atij serb, Kosova jo vetëm që mbetej tërsisht nën Serbinë, por me një status qartësisht më të kufizuar se i vitit 1974, me mbikqyrje nga OSBE, pra prania e trupave të NATO-s zëvendësohej me praninë e OSBE-së. Në projektin e ri, ishte hequr krejtësisht referendumi për statusin e Kosovës, propozohej parlamenti me dy dhoma, në të cilin dhoma e pakicave bënte ligjin, legjislativi i Kosovës përfundonte, de facto, në duart e Miloshevicit, UÇK asgjësohej. Ky projekt, që nga idetë e para të Lordit Carrington e deri atë ditë, ishte më antishqiptar dhe natyrisht, më i papranueshëm se sa çdo projekt tjetër.

Mbi këtë zhvillim dramatik u informava menjëherë nga disa prej miqve të mi që përfaqësonin Kosovën në konferencë. Pikërisht, në këtë moment, kur Fuqitë e Mëdha papritmas ndryshuan qëndrimin, unë u rrjeshtova publikisht me Kosovën. Kështu, me dt 18 shkurt, plotësisht i vetëdijshëm për hapin që po ndërmerrja, por në përputhje të plotë me bindjet dhe me kontratën time me kombin, denoncova publikisht, para shqiptarëve, projektin e ri, si një projekt antishqiptar. Në deklaratën time të kësaj date, me titull: Pavarësia e Kosovës – kusht themelor për paqen në Ballkan, ndër të tjera shprehem: “Unë konstatoj me keqardhje, se po bëhen presione mbi delegacionin shqiptar për të hequr dorë nga kluazola me të cilën Kosova, në tre vjet, me referendum të shpallë vullnetin e saj” dhe vazhdoj më poshtë se: “Pa këtë klauzolë duhet të them se marrëveshja bëhet ose një marrëveshje që dëmton në mënyrë fatale interesat e shqiptarëve ose një marrëveshje në letër, të cilën asnjë shqiptar në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi e diasporë nuk do mund ta përkrah dhe ta njohë”. Në këtë dekleratë theksoj gjithashtu se: “pa praninë e NATO-s në Kosovë nuk ka asnjë zgjidhje”. Po aty jam shrehur: “shoh se mbi Kosovën po projektohen interesa kombëtare të shteteve të ndryshme dhe po injorohen interesat kombëtare të shqiptarve” dhe në fund kam dënuar qëndrimin rus.

E vërteta është se me këtë deklaratë, zgjova zemërimin e menjëhershëm të Perëndive te tokes tërbimin e Miloshevicit dhe miqve të tij, por jo të Zotit. Po ju rikujtoj se, një diplomati të rëndësishëm që më erdhi me tone jo miqësore në zyrë për deklaratën time, iu përgjigja qetë, duke i thënë: “mbaj shënim ju lutem. I thoni qeverisë tuaj se, sa herë që shqiptarëve do t’ju serviren marrëveshje si ajo, unë do t’i denoncoj si akte antishqiptare”. Qëndrimi im publik kundërshtues ndaj projektit të ri, nuk lidhej me dyshimin se atë mund ta firmoste përfaqësia e Kosovës, pasi në dijeninë time, kundërshtimi i tyre ishte unanim. Qëndrimi im synonte mbështetjen e përfaqësisë të Kosovës, për qëndrimin kundërshtues të saj. Por, qëndrimi im në atë moment kritik kishte si qëllim gjithashtu të dënoja publikisht atë projekt si një marrëveshje antishqiptare, i cili kurrë nuk mund të pranohej. Natyrisht, ato ditë dramatike, kam komunikuar me pjesëmarrës dhe ndjekur disa herë në ditë konferencën, zhvillimet, debatet brenda saj.

Këto qëndrime i kam përsëritur në deklaratën time të datës 21 shkurt 1999, por duke shprehur besim tek Sekretarja e Shtetit, Ollbright dhe Qeveria amerikane për mbështetje të kërkesave të drejta të palës shqiptare, jam shprehur ndër të tjera se: “Shqiptarët nuk mund të firmosin kushtetutën e pushtuesve …. e cila e kthen Kosovën në një provincë me të drejta të kufizuara, që nuk i ka patur as në vitin 1945. Një kurth për të fajësuar shqiptarët, por përsëri unë mendoj se ka mendje të cilat kanë kthjelltësi si qëndrimet e Sekretares së Shtetit Ollbright, administratës së presidentit Klinton dhe të Organizatës të të Drejtave të Njeriut të cilët janë më të qartë përsa i përket përmasave të konfliktit”.

Me dt 22 shkurt të vitit 1999, falë punës këmbëngulëse të përfaqësuesve të Kosovës dhe mirëkuptimit të miqve tanë për propozimet e shqiptarëve, projekti pësoi ndryshime thelbësore. Në tekst u rikthyen klauzolat më të rëndësishme. Po këtë datë ndryshon përsëri qëndrimi im. Kështu, në deklaratën e datës 22 shkurt 1999, Partia Demokratike dhe pesë parti tjera opozitare, kanë miratuar deklaratën në të cilën, ndër të tjera shprehën: “Marrëveshja e Rambujes do pranohej nga shqiptarët vetëm në rast se do të njihte të drejtën e shqiptarëve për të shprehur vullnetin për të ardhmen e tyre, pas periudhës kalimtare. Prania e trupave të NATO-s në Kosovë do të ishte e vetmja garanci e realizimit praktik të marrëveshjes së Rambujesë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës duhet të shndërohet në Gardë Kombëtare të Kosovës”.

Në të vërtetë, ndonëse teksti i projektit me ndryshimet thelbësore u bë i pranueshëm për shumicën dërmuese të përfaqësuesve tanë në Konferencë, përsëri siç e dini ju, jo çdonjëri prej tyre e pranoi atë. Por as ju dhe as njëri, as edhe ato që hezituan, nuk mund t’i lidhni me deklaratat e mia kundërshtitë e mbetura. Ato, qartësisht, lidheshin me disa zhvillime të papritura, që ndodhën bash ato dy-tre ditët e fundit, jo në Tiranë por në Kosovë, me të cilat unë nuk kisha absolutisht asnjë lidhje. Është tashmë e ditur se, pas shumë debatesh, me datë 23 shkurt 1999, përfaqësia e Kosovës në Rambuje doli me deklaratën, tashmë të njohur se, ajo pranonte unanimisht në parim marrëveshjen e Rambujesë dhe se për firmosjen e saj kërkonte pak kohë, për ta konsultuar atë me forume dhe faktorë të tjerë në Kosovë. Kjo kërkesë u pranua nga Fuqitë e Mëdha, të cilat fiksuan, për këtë qëllim, një konferencë tjetër për Kosovën me datë 15 mars 1999.

Prandaj dhe në deklaratën time të datës 24/2/1999 thuhet se: “PD mbështet deklaratën e përfaqësuesve të Kosovës dhe vlerëson si një zhvillim të rëndësishëm të Rambujesë fiksimin e datës 15 mars për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, kërkon që përfaqësia e Kosovës t’i përmbahet luajalitetit të deklaratës që miratoi vetë me konsensus në Rambuje dhe i bëhet thirrje Demaçit të mbështesë marrëveshjen”. Në një rezolutë të forcave politike të datës 3 mars 1999, bëhet thirrje “të gjitha forcave ushtarake, politike në Kosovë, Shqipëri dhe kudo që ndodhen, tëmbështesin firmosjen e marrëveshjes së pranuar në parim nga përfaqesia e Kosovës”.

Ky ishte qëndrimi im, Zoti Buzhala, dhe i PD ndaj Konferencës së Rambujesë. Ky qëndrim, asokohe, është vlerësuar nga shqiptarët por, dy-tre vite më parë duhet të pranoj, edhe nga ndonjë drejtues kryesor i UÇK me origjinë nga Shqipëria. Ky qëndrim është krejt i ndryshëm nga ai i disa qeveritarëve shqiptarë që erdhën të paftuar nga organizatorët e Konferencës në Rambuje dhe, që kur u kthyen, denoncuan dhe fajësuan publikisht si depresiv, psikotik, melankolik, anëtarë të caktuar të delegacionit të Kosovës, pse ato nuk pranuan të firmosnin me 23 shkurt marrëveshjen por, kërkuan ta konsultonin me forumet në Kosovë. Kurse unë, këtë qëndrim përçarës, nuk mund të pranoja.

Së fundi dhe kjo nuk lidhet me ju, por direkt me përfaqësuesit e kombit titist virtual Kosovar, ne shqiptarët jetojmë në dy dhe më shumë shtete për shkak të rrethanave historike, mirëpo liria, interesi, ideali dhe dinjiteti kombëtar burojnë nga kombi dhe janë një e të pandarë. sb