.
×

Arrestohet Armend Muja, ish punëtor në UNDP



Liridona Kozmaqi, zëdhënëse në Prokurorinë Speciale, për KALLXO.com ka dhënë informacione shtesë rreth bastisjeve të sotme në zyrat e Agjencisë së Akreditimit dhe të shtëpisë së drejtoreshës së këtij institucioni, Ferdije Zushi.

“Janë arrestuar dy persona, një ish-zyrtar i UNDP-së dhe një zyrtar i Agjencionit të Akreditimit”, ka thënë Kozmaqi.

Ajo gjithashtu tha se pritet arrestimi edhe i një zyrtari të Agjencisë së Akreditimit.

Burime të KALLXO.com nga Prokuroria Speciale bëjnë të ditur se njëri nga të arrestuarit është Armend Muja, i cili ka punuar më parë në UNDP.

Ende nuk është bërë e ditur se në bazë të çfarë dyshimesh janë bërë këto arrestime.

Prokurori në Prokurorinë Speciale të Kosovës, Suad Kuraja, i kontaktuar nga KALLXO.com, tha se nuk është i autorizuar të flasë.

Ndryshe,në orët e hershme të mëngjesit njësi speciale të policisë së Kosovës janë futur në zyrat dhe shtëpinë e drejtoreshës së Agjencisë së Akreditimit Ferdije Zhushi.

Por ,rrreth orës 11: 00 hetuesit e policisë dhe njësitë speciale janë parë duke dalë nga zyrat e Agjencisë së Akreditimit. Së bashku me ta nga këto zyra ka dalë edhe drejtoresha Ferdije Zhushi, e cila ka hipur në një makinë të policisë.

Gjatë daljes nga zyrat KALLXO.com e ka zhvilluar një intervistë të shkurtër me drejtoreshën Ferdije Zhushi.
Drejtoresha tha se bastisja po bëhet për shkak të disa ankesave që janë bërë, duke mos e saktësuar nëse ajo është e dyshuar apo jo.

“Kanë marrë disa dokumente dhe tash vazhdon procedura. Kanë bërë bastisje të dokumenteve, vetëm këto”, ka thënë Zhushi.

Ajo duke hipur në makinën e policisë ka pranuar edhe është braktisur edhe shtëpia e saj.