.
×

Ambasadori rus ia fut kot: Kosova dhe Krimea ndryshojnë si Toka dhe Qielli!



Ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Chepurin, tha sot në Beograd se shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe rasti i Krimesë ndryshojnë shumë si Toka dhe Qielli, dhe se Kosova “në përputhje me të drejtën ndërkombëtare” është pjesë e Serbisë.

“Kosova kurrë para Luftës së Dytë Botërore nuk e kishte territorin që ka sot. Krimea ka një traditë të shtetësisë që prej shekullit XV”, tha Chepurin në Qendrën Mediale të Beogradit, në panelin me temën “Nga Kosova në Krime: Unilateralizmi dhe manipulimi në lidhje me të drejtën për vetëvendosje”, transmeton Telegrafi.

Ai shpjegoi se ish-udhëheqësi sovjetik, Nikita Khrushchev, Krimenë ia ka “dhuruar” Ukrainës, por ajo ishte në kundërshtim me Kushtetutën e ish-Bashkimit Sovjetik.

“Popullata shqiptare ka dalë në referendumin e vitit 1988 për autonomi, në përputhje me kushtetutën e RSFJ-së. Pra, Beogradi ishte i gatshëm që t’ia japë autonominë Kosovës, ndërsa Kievi nuk ia ka dhënë këtë të drejtë Krimesë”, tha ai.

Sipas tij, në Kiev ka ndodhur “grusht-shtet”, ndërsa Qeveria e re nuk e ka marrë mbështetjen e të gjitha rajoneve të Ukrainës.

“Autoritetet e reja kanë ndërmarrë hapa të njëanshëm, të cilat kanë reduktuar autonominë e Krimesë. Pavarësinë më vonë e kanë mbështetur – përmes një referendumi – 96 për qind e popullsisë së Krimesë,” tha ai.

Përveç kësaj, ambasadori rus deklaroi se në shpalljen e pavarësisë së Kosovës “rol të madh” ka luajtur faktori jashtëm, të cilën gjë nuk mund ta themi për Krimenë.

“Pavarësia faktike e Kosovës ishte rezultat i përzierjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha ai.

Chepurin kujtoi “rezolutën e detyrueshme për të gjitha vendet, e cilat thotë se Kosova është nën sovranitetin e Serbisë”.

“Një dokument i ngjashëm për Krimenë nuk ekziston”, tha Chepurin.

Ai përsëriti se Rusia në lidhje me Kosovën ka qëndrim të qartë që “nuk do të ndryshohet”.