.
×

Ambasadori amerikan përgëzon Gjykatën që vendosi për ta kompensuar familjen e Diana Kastratit



Gjykata Themelore në Prizren, ka marrë vendim që shteti kosovar  t’ia paguajë 95 mijë euro familjes së Diana Kastratit, pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë, e kishte neglizhuar rastin e vajzës së  tyre.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett ka shkruar në Twitter rreth këtij rasti, duke e lavdëruar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren.

“Gjykata Themelore në Prizren e bëri një hap të madh drejt forcimit të sundimit të ligjit në Kosovë duke e shpallur shtetin përgjegjës lidhur me dështimin për ta mbrojtur një qytetar nga dhuna familjare. A mundet Kuvendi të shkojë edhe më tutje duke e miratuar një ligj për përgjegjësitë e shtetit?”, ka shkruar Kosnett.

Diana Kastrati ishte vrarë nga bashkëshorti i saj në vitin 2011. Ajo u vra edhe pse disa herë radhazi kishte raportuar në organet e sigurisë në Kosovë, për rrezikun që i kanosej nga bashkëshorti i saj.

Diana Kastrati, 27 vjeçarja nga Prishtina, kishte kërkuar mbrojtje 24 orëshe nga policia e Kosovës dhe organet e drejtësisë, pas kërcënimeve me vrasje nga ish-bashkëshortit, Adnan Jashari, i cili është i dyshuar për vrasjen e saj para shtëpisë në vitin 2011.