.
×

Akademik Kujtim M. Shala: Identiteti i pa/zbuluar



Akademik Kujtim M.Shala ka nxjerrë në dritë veprën e tij të radhës; Kujtim M. Shala / Identiteti i pa/zbuluar. Njoftimin për botimin e kësaj vepre studimore të fushës së studimeve të letërsisë, e ka bërë të diturë vetë profesor Shala përmes një postimi në Facebook. Vepra është botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2019, f. 340)

Kush jam e si shfaqem?, e shtruar si çështje identitare, është e ndërliqshme edhe si çështje (pastërtisht) letrare, teksa manifestohet në trajtë tematikash, rrjet idesh, diskursesh apo si subjektivitet letrar/identitar. Këtë ndërliqësi letrare e identitare do të provojë libri Identiteti i pa/zbuluar, ndërsa titulli i tij e shënjon kërkimin e hapur dhe identitetin (e projeksioneve e të themelimeve letrare) si kategori të (pa)përshkrueshme. Sepse, kush e di sa mbulon letërsia, kur hapet e zbulon në aventurat e saj të pashoqe?
Identiteti në letërsi është përfaqësim e përfaqësues, madje i përfaqësueshëm, por në kufijtë e ontos-it letrar të veprës. Kështu që, në rrafshin poetik, shënjon specifika, por ai hapet e mbretëron në rrafsh idesh. Vërtet, moderniteti e shënjoi subjektivitetin letrar si një shenjë themelore të tij, e ligjëroi vdekjen e autorit, por edhe kthimin e shkrimtarit në zemër të veprës (Rolan Bart). Këto janë shenja për konstruktin poetik e identitar të veprës letrare. Por, çështjet e identitet dhe të identitetit letrar janë universale, prandaj leximi i letërsisë krah identitetit apo i identitetit në faqet e veprave letrare, në këta terma, bëhet krejt i ndërliqshëm. Ndërsa, i shtruar më tej, raporti i letërsisë me identitetin është një raport njohjeje.
Ndërliqësia e tillë, sidomos çështja e njohjes letrare, çon në rrethina të letërsisë, te fushat e tjera, prandaj duhen kërkime kulturore, historike e politike, të religjionit, shënjime antropologjike e epistemologjike, për t’u kthyer përherë në gjirin e poetikës. Shenjat e kësaj vetëdijeje i reflekton ky libër, ndërsa përkrah hapen leximet e dijeve universale, të cilat bëhen tonat për aq sa u japim prova.
Libri Identiteti i pa/zbuluar është strukturuar në: I. Identiteti i pa/zbuluar, II. Identiteti i s/provuar, III. Autentikë e universalitet e IV. Kodet e vogla, të cilat lidhin kërkimin sistematik të autorit dhe e propozojnë atë të lidhur, por jo të mbyllur.
Pjesa e parë e librit e jep problemin në pamjen e madhe, ndërsa në pjesët e tjera kërkimi tëhollon tehun, për të interpretuar e për të (s)provuar, madje për t’u (s)provuar.
Libri është i hapur, ashtu si edhe çështja e identitetit. Një libër i hapur shënjon se kërkimi vijon, ndërsa sistematika, e kurorëzuar me diskursin abstragues, bëhet sistemore. Vetë kjo vetëdije shënjon se kërkimi nis në çështje konkrete edhe kur abstragon e universalizohet vetë.
Identiteti i pa/zbuluar diskursin mbi identitetin e provon edhe me diskurse për identitetin, në një pamje të përqendruar të letërsisë shqipe, ashtu që të shënjojë ideologjikën apo që të sugjerojë poetikën. Të dyja, ideologjika e poetika, e shënjojnë diskursin historik si një kurorë të kërkimit të tillë.
Çështja e identitetit, si ajo e identitetit letrar, bëhet krejt e ndërliqshme në modernitet, atëherë kur racionalizmi e katerzianizmi nisin nga individi e nga psiké-ja, ndërsa duket që problemi shkon përtej zgjidhjeve që jep vetë moderniteti kartezian. Kështu, kur shtrohet në rrafsh letrar, identiteti i lidhur me subjektin dhe subjektivitetin, vërtet, kërkon të endemi me durim ontos-it e poetikës moderne, si në një botë të veçantë (të qenies) poetike e identitare. Ndërsa, në letërsinë shqipe, ky fenomen shënjohet me veprat e kodeve të vogla e me temat e individit, që ngadalë provohen edhe si tema universale. Kështu, individi, socialja e politikja përballë universales hyjnë në diskursin që vë përballë autentiken e urbanën, raport që do shënjuar me fenomene e që do provuar me autorë e vepra.
Në terma të tjerë e në cep të kërkimit të konceptuar kështu, çdo vepër letrare është edhe vepër identitare, prandaj çdo kërkim letrar është edhe kërkim identitar. Në këtë kuptim, jemi brenda asaj që e kemi shënjuar si ideologjika letrare, e cila vetë shënjon idetë, idetë e lidhura e ideologjinë e veprës, provuar si metodikë e artikulimit letrar.
Ndërsa, edhe vetë Identiteti i pa/zbuluar do lexuar jo vetëm si vepër mbi letërsinë e identitetin, por edhe si një vepër identitare.
Në fund të një kërkimi të gjatë e në diakroni të gjata (Bart), ndalemi për të shënjuar momentin apo edhe për të provuar ndjesinë që shoqëron një kërkim të kurorëzuar si libër. Sepse është e njohur që jo fundi, por fillimi e kërkimi janë momentet e lumturisë së kërkuesit letrar.