.
×

Ahmeti e shpall vendimin për shkarkimin e dy drejtorëve të VV’së, Rugova e krahason me serbët



Pas paralajmërimeve që bëri, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, sonte ka bërë të ditur se ka marrë vendimin për shkarkimin definitiv të dy prej tre drejtorëve të Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës.

Ahmeti ka thënë se këtë vendim e ka marrë pasi drejtorët nuk po përfillin punën e Komunës. Ndaj këtij vendimi, ka reaguar drejtori i Kulturës, Yll Rrugova, i cili ka bërë një krahasim mes Ahmetit dhe serbëve.

Rugova ka thënë se Ahmeti “po e përdorë taktikën që serbët e përdornin me ‘shqiptarët e ndershëm’ duke më shpallur ‘Vetëvendosje i ndershëm'”.

Ky është postimi i plotë i Rugovës në Facebook:

Lojë me shkarkime selektive

Duke e shkarkuar Arben Vitine dhe Nora Kelmendin, dhe duke mos më shkarkuar mua si drejtor të Vetëvendosjes, Shpendi po e përdorë taktikën që serbët e përdornin me “shqiptarët e ndershëm” duke më shpallur “Vetëvendosje i ndershëm”.

Kjo i bie, se edhe nëse dikush është Vetëvendosje, ai si kryetar është në gjendje ta lejojë në qeverisje. Por kjo është vetëm lojë për të legjitimuar qeverisjen e tij, absolutisht të zaptuar në zgjedhjet e fundit nga Vetëvendosja. E për më shumë qeverisje që ka tendenca të zgjerohet edhe me PDK-në.

Eshtë e vërtetë që në zgjedhjet e fundit në komunë i jam bashkuar Vetëvendosjes me ftesë nga vetë Shpendi dhe Dardani. Po unë e di se nuk do t’i kishim votat e duhura pa qenë duke garuar bashkarisht si Vetëvendosje.

Andaj, përderisa kam garuar me këtë subjekt, edhe vazhdoj të jem pjesë e tij, nuk ka gjasa të marr vendime pa diskutuar me Lëvizjen. Megjithëse tashmë bashkëpunimi po duket se s’ka gjasa të vazhdojë.

Pa marrë parasysh qysh po përjashtohemi, ne e dimë si do të kthehemi. #prishtina

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka bërë të ditur do t’i shkarkojë drejtorët e Vetëvendosjes në kryeqytet.

“Unë tashmë e kam marrë vendimin që këtë javë të shkarkohen, dy drejtorë, ai i Shëndetësisë dhe Kadastrit, pasi ata dy kanë qenë të deleguar ndërsa për drejtorin e Kulturës ka qenë marrëveshja e imja me të, personalisht kur ka hyrë në listë dhe i mbetet atij nëse do të vazhdojë punën në Prishtinën që e ka filluar apo dëshiron që për shkak të subjektit politik, të largohet”, ka thënë Ahmeti në Rubikon.