.
×

Abazi: Shtyrja e seancës, “shpëtim” nga ballafaqimi me realitetin



Drejtori ekzekutiv i fondacionit “Rockfeller Brothers” për Ballkanin, Haki Abazi,  ka theksuar se bashkimi i LAN-it dhe Lëvizjes Vetëvendosje (VV), nuk është befasi.

Sipas tij, marrëveshja në mes LAN-it dhe VV-së është finalizim i bisedave që kanë filluar që nga momenti kur këto parti së bashku vendosen që në formë të unifikuar të mos hyjnë, për asnjë përfitim, në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

“Finalizimi i një marrëveshje të tillë (në mes LAN-it dhe VV-së) tregon një pjekuri politike, integritet të lartë politik për shkak se marrëveshja e nënshkruar është në shërbim të interesave vitale shtetërore, duke tejkaluar kështu interesat të partive veç e veç. Natyrisht që situata e bllokimit të procesit të formimit të institucioneve, dhe problemeve anësore të lindura si rezultat i keq qeverisjes në mandatin e fundit, është bërë një domosdoshmëri dhe një urgjencë për bashkërendimin e të gjitha interesave për të tejkaluar situatën e krijuar”, ka thënë Abazi në një prononcim për Telegrafin.

Ai më tutje ka theksuar se marrëveshja në mes LAN dhe VV, përfundimisht tregon se shumica në parlament është në këto subjekte politike, duke shtuar se, detyrimet që dalin nga kjo marrëveshje përcaktojnë se drejtimet kryesore në të cilat do të punohet, e që do fusin Kosovën në binarët e saj, janë: zhvillimi ekonomik, respektimi dhe zbatimi i ligjit dhe integrimet evropiane.

Sipas Abazit, shtyrja e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, është një vendim që tejkalon kompetencat e drejtimit të seancës të cilat i përcakton mosha (siç është rasti me Flora Brovinën).

“Mënyra e drejtimit të seancës konstituive, me panik dhe pasiguri, nga ana e Flora Brovinës, tregon edhe njëherë që në fakt shtyrja e seancës konstituive është shpëtimi i vetëm nga ballafaqimi me realitetin. Ky realitet ka dy nivele: një është fakti që askush nuk do te hyjë në koalicion me PDK-në dhe kjo gjë më tash është e njohur botërisht, dhe e dyta është se shumica parlamentare është me LAN-in dhe VV-në”, ka thënë ai.

Drejtori ekzekutiv i fondacionit “Rockfeller Brothers” për Ballkanin, ka theksuar se çdo arsyetim se vetëm PDK-ja, në mënyrë ekskluzive, e ka të drejtën për të zgjedhur kryeparlamentarin nga radhët e saj dhe se gjykata kushtetuese është autoriteti i fundit që në këtë rast ka bllokuar procesin dhe nuk ka ofruar zgjidhje, është tentim për të kriminalizuar demokracinë dhe suspenduar republikën parlamentare.

“PDK është duke bërë puq mbi shtetin dhe kushtetutshmërinë e tij. Zgjidhja është tek presidentja e cila duhet thirrur liderët dhe duhet mbrojtur republikën parlamentare, ku shumica vendos. Çdo mosveprim i presidentes, për të dalë nga kjo bllokadë e krijuar nga PDK-ja dhe Enver Hasani, është përgjegjësi e lartë për injorim dhe thirrje pa përmbajtje”, ka thënë Abazi.

Ndryshe, dje (të enjten) pas përfundimit të një takimi ndërmjet kryesueses së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina, përfaqësuesve të PDK-së si dhe përfaqësuesve të komuniteteve pakicë, Brovina ka theksuar se është vendosur që seanca konstituive të shtyhet për të enjten e ardhshme.

Kërkesa për shtyrjen e seancës e cila ishte paraparë që të mbahej sot ishte bërë nga Lista Srpska.